6 Dhjetor, 2024
Tirana, Albania
Lajme nga vendi

KESH, kompani të përbashkët me gjigandin e Emirateve/ Balluku: Masdar do investojë në Shqipëri

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka firmosur një marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë emiratase Masdar, për krijimin e kompanisë së përbashkët publike që do të investojë në Shqipëri e në rajon. Marrëveshja u nënshkrua në mjediset e COP29, që Baku ndërsa lajmi u bë me dije nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

“Gjatë zhvillimit të COP29 në Baku, përveç të gjitha paneleve ku ne kemi fatin e madh të promovojmë një Shqipëri e cila prodhon 100% energji të rinovueshme, sot kemi firmosur një nga marrëveshjet më të rëndësishme të bashkëpunimit me gjigandin Masdar, kompania emiratase e cila operon prej kohësh në Ballkan, por që tashmë ka vendosur një bashkëpunim të qenësishëm me Korporatën Elektroenegjetike Shqiptare, krijimin e një kompanie të përbashkët e cila do të investojë në të gjithë zonën e Ballkanit Perëndimor, por mbi të gjitha në Shqipëri”, – tha Balluku.

“Si një lider global në energjinë e rinovueshme, Masdar është krenar që ka nënshkruar këtë marrëveshje me Shqipërinë, veçanërisht me KESH. Ne kemi krijuar një partneritet të përbashkët dhe po zhvillojmë projekte të energjisë së rinovueshme në vend. Siç e dini, Masdar është shumë aktiv në rajonin e Ballkanit dhe në fakt jemi një nga kompanitë më të mëdha të energjisë së rinovueshme në botë. Jemi të lumtur të bashkëpunojmë me qeverinë shqiptare dhe KESH për këtë projekt strategjik shumë të rëndëishëm, i cili do të shfrytëzojë burimet e jashtëzakonshme të energjisë së rinovueshme që ka Shqipëria. Presim të punojmë ngushtë me ju për ecurinë e këtij projekti, veçanërisht gjatë COP29 këtu në Baku”, – tha përfaqësuesi i kompanisë Masdar pas nënshkrimit të marrëveshjes.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *