14 Tetor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

KLGJ nën akuzë për korrupsion me tenderin 3.4 mln euro

Një kompani shqiptare ka akuzuar Këshillin e Lartë Gjyqësor për korrupsion me tenderin 3.4 milionë euro për “Blerjen e Pajisjeve të Sigurisë në Gjykata.” Advanced Business Solutions thotë se kriteret që KLGJ ka vendosur në tenderin e majmë janë abuzive dhe shpjegohen vetëm me hipotezën e favorizimit të një operatori të caktuar.

“Ndërsa objekti i prokurimit janë kryesisht pajisje informatike dhe elektronike, KLGJ-ja kërkon vetëm 2 inxhinierë të fushës dhe plot 7 inxhinierë të fushave ndihmëse. Të bie në sy që kërkohen 2 inxhinierë mekanik dhe 2 inxhinierë mjedisi kur instalime mekanike nuk ka fare dhe kur vendimmarrje në lidhje me mjedisin nuk ka pothuajse fare,” thuhet në ankesën që kompania i ka dërguar Komisionit të Prokurimeve Publike.

Sipas ABS, ky nuk është kriteri i vetëm i dyshimtë që KLGJ ka vendosur në tenderin 3.4 milionë euro të parashikuara për t’u zhvilluar në 16 qershor. Në kriteret e kualifikimit Këshilli i Lartë Gjyqësor kërkon që kompania të ketë të punësuar 18 elektriçistë dhe një teknik ndërtimit.

“Së pari kërkesa për teknikë të fushës së TIK dhe/ose Elektronikës është zero. Së dyti, numri i elektricistëve të kërkuar është i ekzagjeruar dhe disproporcional me rrjetet dhe sistemet elektrike që do të instalohen. Së treti dhe më flagrante është kërkesa për teknik ndërtimi, kur objekti i prokurimit nuk ka asnjë lidhje me ndërtimin,” thuhet në ankesë.

Sipas ABS, këto kritere nuk janë vendosur rastëisht në tender. “Një lapsus i tillë, kaq i rëndë i Autoritetit Kontraktor mund të shpjegohet me hipotezën e ndërtimit të kritereve të kualifikimit që të favorizojnë një operator të caktuar,” thotë Advanced Business Solutions në ankesën e saj drejtuar Komisionit të Prokurimeve Publike.

Këshilli i Lartë Gjyqësor është organi më i lartë qeverisës në hierarkinë e sistemit gjyqësor. Praktikisht institucioni në majën e luftës kundër korrupsionit. Akuzat zyrtare dhe të drejtëpërdrejta për paracaktimin e fituesit në tenderin për kamerat janë një njollë e vogël për imazhin e institucionit që duhet të jetë model në luftën kundër korrupsionit.  

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *