4 Tetor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

KLSH: Hekurudha shqiptare ka falimentuar, borxhet arrijnë 37 mln euro

Hekurudha shqiptare është drejt “gropës” së madhe, falimentimit. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka publikuar një raport për gjendjen në këtë sektor që është prej vitesh në krizë. Raporti thotë se pagesat e qeverisë si subvencione janë të vetmet që kanë mbajtur në këmbë Hekurudhën Shqiptare që të mos shpallë falimentin. “5Pyetjet.al” publikon dokumentet e raportit.

“Performanca e treguesve ekonomiko-financiar që lidhen me realizimin e buxhetit faktik të shoqërisë, nuk është e kënaqshme dhe ka vend të përmirësohet. Hekurudha Shqiptare SHA, ka riskun e gjendjes së pamjaftueshme të likuiditeteve.

Në qoftë se shoqëria do të llogariste penalitetin e hekurudhave të huaja si dhe nuk do të çelej subvencion nga buxheti i shtetit, do të çonte në rezultat negativ akoma më të lartë për vitet ushtrimore”, thuhet në raport.

Treguesit për vitet e fundit 2019, 2020, 2021 dhe 2022, pasqyrojnë një krizë likuiditeti. Hekurudha ka detyrime të prapambetura ndaj të tretëve si kredi afatshkurtër e afatgjatë, për principial dhe interesa, fatura për blerje etj në vlerën 3,87miliardë lekë.

“Në opinionin e grupit të auditimit Shoqëria “Hekurudha Shqiptare” sh.a Durrës është në gjendje falimentimi. MIE dhe MFE, e kanë përdorur subvecionin si të vetmin instrument për të mos shpallur procedurat e falimentimit të Shoqërisë HSH sha.

Veprimet sa më sipër janë jo në përputhje me ligjet për buxhetin e viteve përkatëse pasi Ministria e Financave dhe Ekonomisë pasi kanë krijuar një situatë konfuze dhe të paqartë” thuhet në raport.

Aktualisht transporti hekurudhor në vend është tejet e limituar ndërkohë që i vetmi projekt i cili mund të japë optimizëm është rehabilitimi i Tiranë-Durrës dhe zgjatimit në Rinas që parashikohet të përfundojë vitin tjetër.

Nga 5Pyetjet.al

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *