14 Tetor, 2024
Tirana, Albania
Lajme nga vendi

Krijohet Inteligjenca Financiare për paratë e “pista”

Agjencia e Inteligjencës Financiare do të jetë tashmë institucioni që do të marrë përsipër parandalimin e pastrimit e parave e të produkteve që burojnë nga veprat penale, si dhe parandalimin e financimit të terrorizmit, duke bashkëpunuar me institucionet dhe organet kompetente kombëtare e ndërkombëtare për këtë qëllim.

Vendimi i miratuar nga Këshilli i Ministrave që i hap rrugë ristrukturimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave është botuar në Fletoren Zyrtare dhe ka hyrë zyrtarisht në fuqi.

Kjo agjenci do të funksionojë si qendër kombëtare e ngarkuar me mbledhjen, analizimin dhe shpërndarjen tek agjencitë e zbatimit të ligjit të të dhënave për veprimtaritë e mundshme të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Ndërkohë që, një ndër funksionet e saj do të jetë shkëmbimi i informacionit me prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, Prokurorinë e Posaçme, Policinë e Shtetit, Byronë Kombëtare të Hetimit, Shërbimin Informativ të Shtetit dhe autoritetet e tjera kompetente të zbatimit të ligjit apo të inteligjencës për çështjet e pastrimit të produkteve të veprës penale, veprat penale ose veprimtaritë kriminale që gjenerojnë produkte të veprës penale dhe financimit të terrorizmit.

Ndërveprimi dhe bashkëpunimi i të gjithë aktorëve, bënë që Shqipëria të dalë nga lista gri e pastrimit të parave”. Lufta kundër krimit ekonomik u konsiderua si prioritet i qeverisë Gjatë mbledhjes vjetore të Komitetit Bashkërendues të luftës kundër pastrimit të parave, të zhvilluar në dhjetor të vitit që shkoi.

Ndërkohë që, në qershor të vitit 2023, Moneyval, mekanizmi i Këshillit të Europës që bën vlerësimin e rrezikut të pastrimit të parave, i dha notë pozitive Shqipërisë për masat që ka marrë në përmbushjen e angazhimeve në këtë drejtim. Në raportin e publikuar nga Këshilli i Europës u evidentua përmbushja e dy rekomandimeve kryesore, 25 dhe 28 të dhëna nga Task Forca e Veprimit Financiar e Moneyval, që lidhen me transparencën dhe pronësisë përfituese si dhe me mbikëqyrjen e bizneseve dhe profesioneve të caktuara jofinanciare.

/Scan

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *