29 Shkurt, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Kriza e gjatë/ INSTAT: Familjet ulën konsumin për të 3-tin vit rresht

Familjet shqiptare po detyrohen të shkurtojnë shpenzimet për konsum ose të drejtohen tek produktet më të lira, ndërsa buxhetet e tyre duket se nuk e mbajnë dot ritmin e rritjes së ççmimeve. Ky nuk është një episod sporadik i shkaktuar nga sjellja psikologjike e konsumatorëve, por sipas shifrave rezulton një fenomen i qëndrueshëm.

Instituti i Statistikave raportoi se konsumi real i familjeve shqiptare u ul për të tretin vit me radhë, çka përbën një nga periudhat më të gjata të regjistruara ndonjëherë të shtrëngimit në buxhetet familjare.

Sipas anketës së buxheteve të familjeve, në vitin 2020 shpenzimet mesatare për konsum të familjeve shqiptare u rritën me 1.5 për qind nominalisht, ndërkohë që për të njëjtën periudhë inflacioni rezultoi 1.6 për qind. Kjo do të thotë që në terma realë, familjet kanë konsumuar 0.1 për qind më pak se një vit më parë.

Por rënia e konsumit është thelluar edhe më shumë në dy vitet e mëpashme. Në vitin 2021, shpenzimet mujore për konsum u rritën me 1.3 për qind, ndërsa inflacioni rezultoi 2 për qind, me një rënie reale të konsumit në 0.7 për qind.

Ndërkohë që në vitin e kaluar, kriza e çmimeve i ka kafshuar edhe më shumë buxhetet e familjeve. Sipas INSTAT, në 2022-shin shpenzimet mesatare për konsum të familjes mesatare shqiptare u rritën me 4.5 për qind. Por për të njëjtën periudhë çmimet u rritën mesatarisht me 6.7 për qind. Kjo do të thotë se vitin e kaluar, familjet shqiptare konsumuan 2.2 për qind më pak mallra dhe shërbime se sa në vitin 2021.

Rritje ekonomike, por shtrëngim rripi

Ndërsa në vitin 2020, tkurrja e konsumit ishte e pritshme për shkak të pandemisë që diktoi pezullimin e aktivitetit ekonomik të vendit dhe daljen e mijëra qytetarëve të papunë, vazhdimi i tendençës edhe gjatë viteve të mëvonshme tregon se ky mund të jetë një problem strukturor.

Në vitin 2021 ekonomia shqiptare u rrit me gati 9 për qind, ççka përbën një nga normat më të larta të rritjes në dy dekadat e fundit. Por pavarësisht rritjes së lartë ekonomike, familjet shqiptare kanë tkurrur konsumin me 0.7 për qind në terma realë. Kjo sinjalizon se përfitimet ekonomike kanë shkuar në një kategori e ngushtë, ndërkohë që pjesa më e madhe e popullsisë ka vazhduar osteritetin.

Ndërsa në vitin 2022, rënia e konsumit u thellua edhe më shumë. Vitin e kaluar, problemi ishte tek dallga e madhe e çmimeve. Anketa e buxhetit të familjeve tregon se inflacioni ka gërryer të ardhurat e disponueshme të popullsisë duke i detyruar shqiptarët të përshtaten me realitetin dërrmues. Dhe në këtë rast axhustimi i vetëm është ai i uljes së konsumit me 2.2 për qind në terma realë.

Edhe pse qeveria trumbeton suksese ekonomike të njëpasnjëshme të dhënat e INSTAT tregojnë se ekonomia ka një problem. Familjet shqiptare po përjetojnë periudhën më të gjatë të osteritetit të regjistruar ndonjëherë, duke u detyruar për tre vite më radhë të ulin shpenzimet për konsum. Një realitet i dhimbshëm, në kushtet kur konsumi familjar në Shqipëri vijon të mbetet konsum mbijetese për shkak të të ardhurave të pakta.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *