25 Tetor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Mahnia e ndërtimeve po e zhyt Tiranën në krizën e ujit/UKT ndërpret furnizimin për komplekset në periferi

Shtrirja pa kriter dhe pa asnjë studim e ndërtimeve thuajse në të gjithë hapësirën territoriale të Tiranës po e zhyt kryeqytetin në krizën e furnizimit me ujë.

Ujësjellësi i Tiranës ka lajmëruar zyrtarisht disa nga komplekset e banimit në periferi të Tiranës se do të furnizohen vetëm me një orë në 2 ditë me ujë. Oligarkia.al ka mundur të sigurojë njoftimin e UKT për një prej komplekseve në afërsi të qendrës TEG. Në të thuhet:

“Të nderuar banorë të kompleksit,

Ju vë në dijeni se UKT ka vendosur orar për furnizimin me ujë. Kompleksi do të furnizohet vetëm një herë në dy ditë. Faleminderit për mirëkuptimin”

Burime nga UKT konfirmuar vendimin për të racionuar furnizimin me ujë. Sipas tyre, ujësjellësi e ka të pamundur të furnizojë të gjitha zonat e Tiranës për shkak të zgjerimit të ndërtimeve thuajse në çdo cep të Tiranës.

Ndërtimet

Vitet e fundit zonat rezidenciale në Tiranë janë zgjeruar me shpejtësi. Komplekset e vilave po shtohen me ritme eksponenciale në zonat periferike që dikur kanë qenë toka bujqësore pa infrastrukturë të furnizimit me ujë apo kanalizimesh.

Ky zgjerim i shpejtë i ndërtimeve që mbijnë përditë në çdo cep të Tiranës, pa asnjë studim apo planifikim tashmë po krijon një krizë të re. Atë të furnizimit me ujë.

Ujësjellësi e ka të pamundur të mbështesë me investime mahninë e bosëve të betonit për të ngritur lagje dhe komplekse me vila, ku të munden. Ky zgjerim pa kriter i zonave të banimit, përveçse shoqërohet me kosto të lartë për qytetarët që duhet të paguajnë për ndërtimin e rrjetit të ujësjellësave dhe kanalizimeve, tashmë po përkeqëson edhe shërbimet publike për kryeqytetin.

Edhe pse Bashkia e Tiranës nuk e ka ngritur asnjëherë këtë si problem, por përkundrazi, vazhdon dhe lëshon leje me shpejtësi kudo, tashmë ky është fakt. Lagje të tëra në Tiranë do të marrin ujë me racion, një herë në dy ditë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *