3 Dhjetor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Ministria e Infrastrukturës: Pagesa në Thumanë – Kashar do të nisë zyrtarisht në ditët në vazhdim

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njofton se sistemi i pagesës për aksin rrugor Thumanë – Kashar do të nisë zyrtarisht në ditët në vazhdim, por publiku do të njoftohet paraprakisht për datën dhe orarin e fillimit të pagesës.

Deri në nisjen e këtij procesi, kompania do të kryejë në segmente të ndryshme kohore, testime të kufizuara të sistemit të pagesës, për të kolauduar sistemin dhe aftësinë përpunuese të stafit. Lidhur me orarin e këtyre testimeve publiku do të njoftohet 24 orë më përpara.

“Pagesa për kalimin në këtë aks do të jetë 2.1 euro pa TVSH, ose ekuivalenca e saj në lekë sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, në datën e fillimit të operimit të sistemit të pagesës” shkruhet në njoftimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, vijon më tej njoftimi,  kërkon mirëkuptimin e qytetarëve gjatë fazës së kolaudimit, pasi ky aks rrugor u hap përpara afatit për t’i dhënë frymëmarrje qarkullimit dhe për të lehtësuar trafikun në akset e veriut si dhe për të ndihmuar qytetarët që qarkullojnë në këto akse.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *