6 Dhjetor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore

Nuk ka dritë në fund të tunelit për fermerët/ Denaj nuk jep afate se kur zhbllokohen fondet e IPARD

Fondet e IPARD do vijojnë të mbeten të bllokuara për një afat të pacaktuar dhe pasojat në mënyrë direkte do t’i vuajnë fermerët shqiptarë, të cilët nuk mund të përfitojnë dot prej tyre.

Në korrik të vitit 2023, Bashkimi Evropian vendosi të pezullojë këtë mbështetjepër Shqipërinë, për shkak se IPARD II u përfshi në hetime nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF), me dyshimet për keqmenaxhim të këtyre fondeve.

Më pas rezultatet e hetimeve iu dorëzuan autoriteteve të Brukselit, ndersa OLAF zbuloi shumë parregullsi serioze gjatë fazës së dhënies së granteve dhe zbatimit të shumë projekteve.

Ministrja e Bujqësisë Anila Denaj, gjatë raportimit në komisionin e Ekonomisë u pyet mbi zhbllokimin e fondeve të IPARD dhe se kur ato do jenë në dispozicion të fermerëve, të cilët janë “viktimë” e drejtpërderjtë e keqmenaxhimit të strukturave shqiptare.

Ajo theksoi se deri në korrik të 2025 nuk priten zhvillime për këtë.

“Ne po ekzekutojmë planin e veprimit për ndryshime të rëndësishme në strukturat në përmirësim të Agjencisë në Pagesave ABZHR, struktura është duke përfunduar, dhe një nga kërkesat shtesë ishte që strukturat të rrisnin kapacitetet për parandalime, për kontrolle dhe më shumë vëmendje për digjitalizimin e sistemeve. Këto po zhvillohen dhe po plotësohen me staf. Deri në korrik ne do të jemi në zbatim të planit të veprimit dhe pas muajit korrik ne do të jemi në gjendje të thërrasim DigiAgri për të dërguar dokumentet për IPARD 3“, tha ajo.

Në total programi IPARD II që i takon periudhës 2014-2022 ishte 94 milionë euro në total, nga të cilat 71 milionë euro ishin financime të BE. Ndërsa programi i tretë që i takon viteve 2021-2027, planifikohet në vlerën 112 milionë euro.

Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) dhe Zyra e Prokurorit Publik Evropian (EPPO) janë dy organet hetimore në nivel të BE-së që qëllim të përbashkët kanë të zbulojnë, hetojnë dhe mbrojnë në mënyrë efektive interesat financiare të BE-së duke bashkpunuar me njëra tjetrën.

Shqiptarja.com

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *