24 Korrik, 2024
Tirana, Albania
Investigim Kryesore Lajme nga vendi

Pazar në tavolinë/ Qeveria i jep 12 mln euro me prokurim të drejtëpërdrejtë hollandezëve të Royal Haskoning

Për herë të parë shteti shqiptar do të prokurojë një kontratë të majme mbikqyrjeje me pazar në tavolinë. Një vendim i mbledhjes së fundit i Këshillit të Ministrave ka autorizuar Autoritetin Portual Durrës, që të negociojë dhe lidhë marrëveshje pa tender me kompaninë hollandeze Royal Haskoning, e cila në ndërtimin e portit të ri në Porto Romano.

“Me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave vendosi të autorizojë Autoritetit Portual Durrës për të negociuar drejtpërdrejt dhe për të lidhur marrëveshje konsulence me subjektin ndërkombëtar “Royal Haskoning DHV”, brenda fushës së kompetencës së saj, një fushë me interes strategjik për proceset e konkurrimit, kontraktimit, ndërtimit dhe mbikëqyrjes së portit të ri të integruar të Durrësit në Porto Romano,” thuhet në vendimin e qeverisë.

Kapitali ka mësuar nga burime të mirëinformuara se bëhët fjalë për një kontratë prej plot 12 milionë eurosh, e cila do të jepet në tavolinë, pa garë dhe larg procedurave standarde të prokurimit publik. Por kjo është vetëm maja e ajsbergut.

Tender për projektin dhe jo vetëm
Në nëntor të vitit 2021, Autoriteti Portual i Durrësit i dha bashkimit të kompanive mes Royal Haskoning dhe shqiptares ABKONS, tenderin 9.5 milionë euro për hartimin e projektit të detajuar teknik të portit të ri në Porto Romano. Afati i dorëzimit të projektit, sipas tenderit ishte 8 muaj dhe në fund të vitit 2022, kompanitë bënë një prezantim publik të projektit para qeveritarëve më të lartë shqiptarë.

Në atë event, ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku deklaroi se kantieri për ndërtimin e portit do të hapej në fillim të vitit 2023. (Lexo këtu).

Kjo nuk ndodhi. Zotimet e ministres së Infrastrukturës për zhvillimin e tenderit dhe fillimin e ndërtimit të portit shumë shpejt janë përsëritur disa herë gjatë këtyre dy viteve, ku rasti më i fundit ishte para dy javësh. (Lexo këtu dhe këtu.) Por deri më tani tender nuk ka patur dhe premtimet dyvjeçare kanë rezultuar mashtrim.

Megjithatë pavarësisht se tenderi për ndërtimin e portit nuk është hapur ende, deri tani qeveria shqiptare i ka dhënë 9.5 milionë euro dyshes së kompanive Royal Haskoning-Abkons për të hartuar projektin, si dhe po bën gati edhe 12 milionë euro të tjera për konsulencën e tenderit dhe mbikqyrjen e veprës. Në total gati 22 milionë euro.

Biznes apo lobim transanacional?
Dhënia e kontratave të majme të konsulencës me pazare të mbyllura në tavolinë është një praktikë që ngre dyshime shumë të mëdha. Kapitali do të publikojë një investigim të detajuar që dëshmon se si qeveria hodhi në erë ligjin për t’u hapur rrugë këtyre pazareve. Por përdorimi i kontratave të konsulencës, potencialisht për lobime transnacionale është vetëm njëra anë e shqetësimit.

Paralelisht, ekspertët brenda institucioneve të përfshira kanë shqetësimin se këto kontrata pa garë mund të prodhojnë një tjetër pasojë edhe më të rëndë. Atë të paracaktimit të kompanive që do të marrin tenderin 420 milionë euro për ndërtimin e Portit përmes një skemë të njohur tashmë. Kontraktimi i një kompanie të huaj sa për emër në letrat e tenderit dhe dorëzimi real i kontratës tek kompani vendase të lidhura me pushtetin.

Kjo është një skemë e përdorur gjerësisht në tenderat e veprave të mëdha publike gjatë viteve të fundit. Në të gjitha këto raste përdoren kompanitë ndërkombëtare të konsulencës si koperturë, të cilave u ngjitën nga pas shushunjat vendase të korrupsionit. Në rastin e tunelit të LLogarasë, kontrata e mbikqyrjes u fitua nga prestigjozja Hill por asaj i ngjitën pas kompaninë e Valter Begajt, biznesmenit të arrestuar nga SPAK për korrupsion në skemë me ish drejtorin e rrugëve, Evis Berberi.

Sidoqoftë, firma në tenderin e radhës do të jetë e Pirro Vengut dhe duket se qeverisë nuk i mbarojnë asnjëherë vullnetarët kamikazë, të cilët firmosin pazare me direktivë nga lart dhe më pas shpallen nga pushteti si derra që hanë dardha pas kurrizit të udhëheqësve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *