14 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore

Petrit Malaj fundos tregun e pasurive të patundshme, shtyn rivlerësimin për në janar 2026

Ministria e Financave ka vendosur të shtyjë për në vitin 2026 hyrjen në fuqi të ligjit, që lejon rivlerësimin e pronave. Burime konfidenciale i thanë Kapitalit se ministria ka vendosur që ligji të miratohet vitin e ardhshëm në Parlament, por zbatimi i tij do të fillojë në datën 1 janar të vitit 2026.

Dy javë më parë qeveria e pezulloi miratimin e ligjit për rivlerësimin e pasurive të patundshme për shkak të kundërshtimit nga ministri i Financave. Edhe pse kryeministri Edi Rama kishte deklaruar publikisht se ligji do të miratohej brenda muajit shtator, ai ndryshoi qëndrim duke u pajtuar me propozimin e ministrit të Financave për ta pezulluar ligjin deri sa të bëhet harta e re, e cila do të rrisë çmimet e referencës së pronave në të gjithë Shqipërinë, veçanërisht në zonat bregdetare të vendit.

Sipas ministrisë së Financave, nëse drafti do të miratohej dhe taksa e zbutur do të hynte në fuqi tani, ata që zotërojnë prona në bregdet apo pjesë të tjera të vendit nuk do të kishin mundësi të rivlerësonin çmimet e rritura të referencës. Mbi këtë arsye, qeveria vendosi që ligji e rivlerësimit të miratohet pas rritjes së çmimeve të referencës në të gjithë territorin e vendit.

Ministria e Financave po punon për hartën e re të çmimeve të referfencës, e cila do të sjellë rritje të ndjeshme të referencave në të gjithë territorin, por veçanërisht në zonat bregdetare. Kjo do të thotë se familjet shqiptare duhet të përgatiten që të paguajnë më shumë taksa për pronat e tyre, pasi po vjen dallga e re e rritjes së referencave, të cilat shërbejnë se baza për llogaritjen e taksës së pronës që paguajnë familjet dhe bizneset.

Tregu në bllokim total
Drafti për të ulur tatimin mbi fitimet kapitale përmes rivlerësimit të pronave u propozua nga deputetja socialiste Blerina Gjylameti në maj të këtij viti. Drafti i Gjylametit propozonte që biznesit dhe qytetarëve t’u jepej një tjetër mundësi të rivlerësonin pronat e tyre kundrejt një tatimi prej 3 për qind nga 15 për qind që është norma statutore e taksës.

Që nga ajo kohë, tregu i pasurive të patundshme është bllokuar thuajse totalisht, teksa qytetarët që kanë për të shitur presin miratimin e ligjit për të rivlerësuar pronat e tyre pasi t’i shesin ato.

Për muaj të tërë maxhoranca dhe qeveria heshtën duke mos e bërë publik qëndrimin e tyre në lidhje me këtë propozim. Vetëm në mesin e Korrikut kryeministri Edi Rama a aprovoi nismën publikisht, por duke saktësuar se taksa e rivlerësimit do të jetë 5 për qind, jo 3 për qind sa kishte propozuar Blerina Gjylameti. “Do të konkludojmë besoj brenda 45 ditëve të ardhshme këtë. Do të ndërtojmë një proces që rivlerësimi të jetë i hapur 1 vit, fund shtatori me fund shtatori dhe ndërkohë duhet të jetë e qartë dhe diçka tjetër, rivlerësimi i parë është bërë me 1%, i dyti me 3% i treti dhe i fundit me 5%,” deklaroi Rama në 17 korrik.

Tashmë ministria e Financave ka vendosur që ai të hyjë në fuqi në Janar të vitit 2026, duke e zhytur tregun e pasurive të patundshme në periudhën më të gjatë të bllokimit në histori.

Vetëm dy ditë më parë, Shoqata Kombëtare e Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme deklaroi se tregu i rishitjes së pasurive të paluajtshme është pranë një kolapsi për shkak të paqartësive dhe mungesës së vendimmarrjes për fillimin e procesit të rivlerësimit me 5% brenda muajit shtator 2024, sikurse u deklarua publikisht nga kryeministri Edi Rama.

Sipas shoqatës kjo situatë ka dhënë efekte në tregun imobiliar duke filluar me mungesën e transaksioneve, në procedurat pezull pranë zyrave noteriale, në mungesën e performancës së sektorit financiar si dhe në mungesën e arkëtimit të ardhurave në arkën e shtetit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *