24 Korrik, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

“Pika e voçkël” e Kumbaros/ Gjeni ku është deti në plazhin e Manastirit

A iu kujtohet fraza “pika e voçkël”, kur ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro e përmendi nga foltorja e Kuvendit me hartë në dorë?

Ishte një retorikë e përdorur nga minitrja gjatë një seance parlamentare në korrik të vitit 2022, për të “voçkëlsuar” sadopak lejen që kishte dhënë në plazhin e Manastirit për ndërtimin e një resorti privat nëpërmjet një “investimi strategjik”, duke e shkëputur atë pjesë nga Parku i Butrintit.

Ndoshta në hartën e Kumbaros ka mbetur ende një “pikë e voçkël”, por terreni aty është shndërruar në një masiv vilash prej betoni, të cilat kanë bllokuar tërësisht aksesin e pushuesve në një prej gjireve më të bukura të Rivierës Shqiptare.

Së fundmi, faqja në rrjetet sociale “Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore” ka publikuar një foto të “pikës së voçkël” të Kumbaros, ku gjithçka që shihet janë vetëm vilat prej betoni, të ngjeshura në terren të ndërtuara njëra mbi tjetrën. Nga ky kënd deti nuk duket, ku duhet të jesh në vilat e “investitorit strategjik” për ta parë.

Për rastin në fjalë, Boldnews.al ka publikuar pamje edhe më herët, të filmuara që nga deti. Prej tyre vërtetohej se Plazhin e Manastirit, në periferinë perëndimore të Sarandës, mund ta shijosh vetëm duke kaluar në rrugë detare, pasi kantieri i ndërtimit e ka bllokuar tërësisht aksesin nga toka.

Dikur një plazh publik i aksesueshëm nga të gjithë, si banorët e zonës, por edhe turistët. Pas përfundimit të investimit strategjik, plazhin e Manastirit mund ta shijojnë vetëm fatlumët, që do blejnë vilat me çmime stratosferike.

Ndërkohë, edhe në raportin e UNESCO-s, shprehej me shqetësim rrudhosja e Parkut të Butrintit, pasi i janë hequr 600 ha. Referuar paraqitjes së hartave të përfshira në këtë raport, kjo sipërfaqe fillon nga Ksamili dhe zgjatet deri në gjirin e Manastirit, që ministrja Kumbaroi i referohet si “pika e voçkël”, ku po ndërtohet “Manastiri – Resort”.

Duke e konsideruar një “qasje pragmatiste” vetë Ministria e Kulturës është justifikuar para grupit vëzhgues të UNESCO-s se “po sakrifikon këtë pjesë të vogël të vijës bregdetare, afërsisht 100-150 ha, por do të çimentonte zgjerimin e mëtejshëm të urbanizimit, duke ruajtur kështu 9000 ha nga parku kombëtar”.

Kujtojmë se në 2 Dhjetor 2021, komiteti KIS miratoi statusin e investitorit strategjik për projektin “Manastiri Resort”, me subjekt aplikues “Albstar” shpk, në pronësi të biznesmenit Sadik Ismailaj.

Subjekti aplikues propozon zhvillimin e një investimi i cili synon ndërtimin e një resorti, që do të ketë në përbërje hotel dhe struktura akomoduese me rreth 33 njësi të ndara me kapacitet total që variojnë nga 83-100 shtretër, restorant, bar, pishinë e jashtme etj.

Projekti zë një sipërfaqe zhvillimi prej 53,467 m², pronë private, në Ksamil, Bashkia Sarandë. Vlera e investimit të projektit të investimit “Manastir Resort – Resort Turistik 2, 3 dhe 4 kate me parkime nëntokë” parashikohet të jetë 28.000.000 (njëzet e tetë milion) Euro.

Vendimi për ndërtimin e Resortit në territorin e Parkut Kombëtar të Butrintit ishte i njëkohshëm me vendimin e qeverisë për të dorëzuar menaxhimin e tij në duart e një fondacioni privat, si edhe i parapriu një tjetër vendimi qeveritar që zvogëloi hartën e Parkut. Jashtë Parkut mbeti “kjo pikëz e vogël”, siç e konsideroi Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, zonën ku po ndërtohet grupi i vilave.

Ndërtimet e resorteve turistike apo zhvillimet ndërtimore masive në zonat bregdetare ishin paralajmëruar nga 25 organizata mjedisore dhe 4 profesorë të shkencave të natyrës që kur u rishikua harta e zonave të mbrojtura për disa parqe në janar të vitit 2022.

Boldnews.al

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *