14 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

‘Po na përzënë nga këtu’: Zgjerimi i portit në Porto Romano shkakton probleme mjedisore

Geri Emiri, BIRN

Të hënën e 17 korrikut, banorët e Porto-Romanos iu drejtuan bregut të detit dhe ndaluan në grup përpara kangjellave të portit të ri të hidrokarbureve. Me maska në fytyrë, burra, gra dhe fëmijë protestuan kundër ndotjes që shkakton në zonë aktiviteti i portit.

Leonard Hodo, banor i Porto Romanos prej vitit 1992, i tha BIRN se ata po përballen me shqetësime shëndetësore si pasojë e përpunimit në port të mineraleve “rifuxho” që mbërrijnë me anije dhe depozitohen në ambientet e hapura të portit.

“Pemët kanë filluar të thahen. Ka një pluhur gati 2 milimetra mbi gjethe, janë bërë sterr i zi,” tha Hodo gati i përlotur.

Porti i hidrokarbureve në Porto-Romano funksionon prej vitit 2015 falë një kontrate koncesionare 35-vjeçare me qeverinë shqiptare dhe menaxhohet nga një bashkim operatorësh i udhëhequr nga konglomerati “Kastrati Group”. Në vitin 2020, qeveria e amendoi kontratën dhe i dha kompanisë koncesionare Porti MBM edhe të drejtën e zgjerimit të aktivitetit si një port tregtar.

Përmes një vendimi të Këshillit të Ministrave në korrik 2019, ky port u shpall gjithashtu zonë e lirë ekonomike për tregti ndërkombëtare pa taksa, në një territor prej gati 1 milion m2.

Porto- Romano, rreth 7 kilometra larg Durrësit, është një hot-sport mjedisor historik në Shqipëri për shkak se aty ndodhej më parë një fabrikë kimikatesh për prodhimin e lindanit dhe DTT-së. Për banorët e kësaj zone, zgjerimi i aktivitetit në port, ku tashmë depozitohen edhe minerale të papërpunuara përveç hidrokarbureve, ka sjellë probleme të reja mjedisore dhe po bëhet pengesë për jetesën e tyre normale.

Përfaqësuesit e kompanisë koncesionare pretendojnë se problemet mjedisore janë minimizuar me zhvendosjen e portit nga qendra e qytetit të Durrësit.

“Përpunimi i këtyre mallrave rifuxho për më shumë se 40 vite, deri së fundmi, është bërë në Portin e Durrësit, ‘në zemër të qytetit’ dhe spostimi i përpunimit të këtyre mallrave në Porto-Romano, në një qendër rurale pak të banuar, minimizon problemet mjedisore,” i tha BIRN Ahmet Kastrati, administrator i shoqërisë koncesionare Porti MBM.

“Pra ky problem ka qenë i përmasave shumë më të mëdha deri kohët e fundit, por duket që po i jepni vëmendje vetëm tani, kur popullsia e ekspozuar ndaj këtyre problemeve është reduktuar,” shtoi ai, duke theksuar se kompania ka marrë masa për ta minimizuar sa më shumë ndikimin mjedisor.

Martin Çupi, 31 vjeç, gjithashtu banor i Porto-Romanos i tha BIRN se ata u bashkuan në protestë për t’i treguar kompanisë Kastrati dhe autoriteteve të tjera shtetërore se “kështu nuk mund të vazhdohet”.

“Në rastet kur aty vijnë shumë anije dhe ka fluks që të shkarkojnë materiale të ndryshme, që nga qymyri pluhur, por aty ka edhe çimento e materiale të tjera, që sigurisht janë kancerogjene në sasi të mëdhaja për ne këtu,” tha Çupi.

“Duhet vendosur një farë limiti dhe të bëhen të qarta disa gjëra, sepse ne jemi komunitet që ishim këtu dhe porti erdhi tek ne, nuk shkuam ne tek porti,” tha Çupi.

Përpunimi i materialeve në port nuk është problemi i vetëm, pasi banorët ankohen edhe për mënyrën se si këto materiale transportohen përmes zonës së banuar. Një problem tjetër është sipas tyre edhe mosrespektimi i rregullave të qarkullimit nga kamionët transportues.

“Janë edhe kamionët që kalojnë përmes qendrës së lagjes, ku është edhe shkolla dhe aty dalin nxënësit normalisht. Kamionët kalojnë me shpejtësi skëterrë dhe nuk njohin asnjë lloj limiti shpejtësie,” tha për BIRN Martin Çupi.

“Njofton policinë që të vijë t’i kontrollojë këta kamionë që sillen sikur të ishin Zot të këtij vendi dhe policia nuk guxon t’i ngrejë tabelën, sepse thonë na bie direkt telefoni…,” shtoi ai.

Ndryshe nga banorët, administratori i kompanisë portuale, Kastrati i tha BIRN se kishte njoftuar policinë që të marrë masa për kufizimin e lëvizjes së kamionëve në zonën e banuar, e cila është rruga kryesore automobilistike që lidh zonën me qytetin.

“Është kërkuar ndihma e policisë rrugore që të vendosen tabela ndalim qarkullimi i mjeteve të tonazheve të rënda në rrugën ku banorët kanë pretendime,” tha ai.

“Asnjë kamion nuk po lejohet që të largohet nga porti pa i vendosur mbulesën. Zona po laget në mënyrë të vazhdueshme, në mënyrë që mos të ketë pluhura. Ngarkimi i çimentos në autobote, i është kërkuar klientëve që të bëhet në mënyrë pneumatike,” shtoi gjithashtu Kastrati mbi masat e marra.

E pyetur nga BIRN, policia e Durrësit pranoi ankesat e banorëve për kamionët, por shtoi se kishte kryer verifikimet e mundshme.

“Sa herë është kërkuar ndihma e policisë, ajo ka ndërhyrë, për aq sa kemi kompetencë ne. Janë bërë të gjitha verifikimet e mundshme,” tha përmes një përgjigje me shkrim Drejtoria vendore e Policisë.

Ndërsa punimet për ndërtimin e portit nisën të qeta në thellësi të detit pas vitit 2015, planet për zgjerimin e tij morën përpara një pjesë të madhe të bregdetit dhe rrafshuan fundin e varg-kodrave të Porto-Romanos. Gjatë punimeve vitin e kaluar u shemb edhe një pjesë e monumentit të kulturës që njihet si “Muret e Portës” dhe që mendohet të jetë ndërtuar në shekullin V të Erës Sonë.

Banorët ankohen se planet për zgjerimin e portit janë kthyer në kërcënim serioz për jetesën e tyre dhe po i detyrojnë ata që të shpërngulen nga Porto-Romano.

“Zgjerimi i portit nuk ka të ndalur dhe ne do të prekemi herët ose vonë. Ne ankesat i kemi bërë tek drejtuesit e portit dhe përgjigja indirekte që kemi marrë, është se do na e vështirësojnë jetën në atë lloj mënyre, sa ne një ditë do të çohemi dhe do të ikim vetë,” përfundoi Martin Çupi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *