29 Shkurt, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Sherri për makinat luksoze të Anton Gjinajt, Gjykata e Lartë rrëzon Raiffeisen

Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e Raiffeisen Leasing për të hequr sekuestron mbi dy automjete luksoze të biznesmenit Anton Gjinaj dhe familjarëve të tij, që u sekuestruan me urdhër të SPAK gjatë vitit të kaluar. Në rekurs, Raiffeisen Leasing pretendonte se dy automjetet Mercedes-Benz AMG G63 dhe Mercedes -Benz GLE me vlerë përkatësisht 155 dhe 97 mijë euro janë në pronësinë e saj dhe jo të biznesmenit, ndaj duhet të çliroheshin nga sekuestro.

Por kjo kërkesë është rrëzuar nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, i cili ka lënë në fuqi sekuestron mbi automjetet sipas vendimit të Gjykatës së Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Sekuestrimi

Vitin e kaluar SPAK vendosi sekuestron mbi disa pasuri të biznesmenit Anton Gjinaj me dyshimin se janë krijuar nga burime të paligjshme. Pikënisja për hetimin e SPAK ishte një vendim i Gjykatës Provinciale të Alicante, me seli në Elce, Spanjë që e kishte dënuar dënuar biznesmenin e ndërtimit me 8 vjet e 9 muaj burgim për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Mes pasurive të sekuestruara ishin dhe dy automjetet luksoze të marra me leasing nga Raiffesen. E para, automjeti tip Mercedez AMG me vlerë 155 mijë euro është përfituar përmes një kontrate leasing të lidhur në dhjetor të vitit 2019, mes Anton Gjinaj dhe Raiffeisen. Për këtë automjet biznesmeni kishte paguar fillimisht 45 mijë euro, ndërsa vlera e mbetur do të shlyhej me këste për 60 muaj.

Për automjetin e dytë atë me çmim 97 mijë euro, kontrata e blerjes është lidhur në mars 2021. Sipas përmbajtjes së kontratës, rezulton se si paradhënie është paguar 30% e çmimit të blerjes, që i korrespondon vlerës prej 29.100 euro, ndërsa pjesa tjetër do të shlyhej me këste për 60 muaj.

Por pas sekuestrimit të automjeteve nga SPAK, Raiffeisen Leasing i është drejtuar fillimisht SPAK dhe më pas gjykatave që të çlirojnë automjetjet, pasi janë në pronësinë e saj.  

“Qëllimi i qirasë financiare ka qenë për arsye personale dhe jo të ndonjë natyre tjetër dhe “Raiffeisen Leasing” SHA, ka qenë gjatë gjithë kohës në mirëbesim. Në cilësinë e pronarit të ligjshëm, “Raiffeisen Leasing” nuk duhet të penalizohet me sekuestrimin e mjeteve që ka në pronësi. Sekuestrimi i mjeteve shkakton dëm financiar, pasi kërkuesi “Raiffeisen Leasing” është në kushtet, kur nuk mund të marrë këto mjete dhe të arketojë kësisoj vlerën e tyre të papaguar,” thuhej në kërkesën e Raiffeisen Leasing, e cila u rrëzua edhe nga Gjykata e Lartë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *