19 Prill, 2024
Tirana, Albania
Investigim Kryesore Lajme nga vendi

Shitjet fiktive të bizneseve si autostradë e krimit financiar

Në kulmin e fushatës elektorale, kandidati për kryebashkiak i koalicionit Bashkë Fitojmë, Belind Këlliçi denoncoi publikisht një kompani të quajtur 5D Konstruksion, e cila sipas tij përfiton tendera publikë dhe leje ndërtimi duke qenë e lidhur me disa drejtorë të Bashkisë së Tiranës. Bashkia e Tiranës i mohoi menjëherë akuzat. Kryetari Erion Veliaj deklaroi se do të bënte kallëzim penal për shpifje ndaj Këllicit.

Pak ditë më vonë, vetë Këllici bëri kallëzim në SPAK për 5D Konstruksion. Me siguri pretendimet e tij do të jenë subjekt verifikimesh nga prokuroria. Por përtej faktit nëse 5D Konstruksion ka apo jo lidhje me drejtues të bashkisë së Tiranës ashtu sikurse pretendon Këlliçi, historia e saj nxjerr në pah veprime të çuditshme financiare.

Shitje dhe dividentë

Në Mars të vitit 2021, kompania e cila në ate kohë quhej VAS Konstruksion, ndërroi pronar. Sipas kontratës noteriale të depozituar në QKB, ajo u shit nga Muhamet Petriti tek pronari aktual Nestor Muhametllari për shifrën 1 milionë lekë të reja ose rreth 9 mijë euro.

Bilanci i kompanisë tregonte se tre muaj para shitjes, pra në fund të vitit 2020 ajo kishte 60 milionë lekë ose 540 mijë euro para të thata në bankë. Paralelisht 5D Konstruksion nuk kishte asnjë ekspozim borxhi dhe madje llogaritë e arkëtueshme të saj ishin dukshëm më të larta se ato të pagueshme. Të gjitha këto pasuri i përfitoi blerësi me vetëm 9 mijë euro.

Me pak fjalë, një kompani që vlente miliona euro euro u shit vetëm për 9 mijë euro. Katër muaji pasi bleu kompaninë për 9 mijë euro, zoti Muhametllari i shpërndau vetes si pronar 358 mijë euro dividend nga fitimet që kompania kishte realizuar vitin e mëparshëm. Ky transaksion ka kaluar i gjithi në sytë e Tatimeve. Asaj administrate, e cila qytetarëve u vihet pas për qindarkat, por lejon pa bërë zhurmë një transaksion të tillë.

Miliardat lekë taksa që treten

E megjithatë, 5D Konstruksion nuk është rast i izoluar. Shitjet fiktive të bizneseve janë shndërruar në një nga kanalet kryesore të pastrimit të parave, evazionit fiskal dhe kanalizimit të rryshfeteve në Shqipëri. Rastet janë aq flagrante saqë kompani, të cilat vlejnë miliona euro shiten për qindarka në lekë.

Gjysma e koncesionit të skanimit në dogana, i cili ka një fluks të garantuar të ardhurash prej të paktën 200 milionë euro në të gjithë jetëgjatësinë e tij, u shit për vetëm 450 lekë, pra më pak se 4 euro. Kompania ICMS që e bleu për 4 euro sot fiton 1.7 milionë euro në vit vetëm nga aksionet e saj tek skanimi.

Gjysma e aksioneve të kompanisë TRIMED që kishte fitim rreth 1 milionë euro në vit dhe që zotëronte dhe 20 për qind në koncesionin e Check Up, u shit për vetëm 300 mijë euro. Në koncesionin e Aeroportit të Vlorës, 40 për qind e aksioneve u shitën vetëm për 4500 euro. Në rrugën e Kombit po ashtu, aksionet u shitën vetëm një muaj pas fitimit të koncesionit. Lista vazhdon me sa e sa koncesione dhe kompani të tjera, që vlejnë miliona euro, por shiten për qindarka.

Shitjet e bizneseve janë shndërruar në autostradën e re të krimit financiar në Shqipëri. Qytetarët shqiptarë humbasin miliona euro nga taksat, që duhet të paguheshin në shtet nëse kompanitë do të shiteshin me vlerën e tyre reale. Zyrtarët e korruptuar përdorin këtë mekanizëm për të pastruar paratë dhe për të humbur gjurmët e korrupsionit. Por deri më sot, administrata tatimore apo Prokuroria nuk kanë hetuar asnjë rast të vetëm. Asnjë. Edhe pse indiciet në këtë drejtim janë të shumta. Ndërkohë që qytetarët taksohen deri në 23 për qind për të ardhurat e mbijetesës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *