12 Prill, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Shqipëria pa urgjencën më të madhe/ Pasi heshti, QSUT pranon se urgjenca është jashtë shërbimi

Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka pranuar se urgjenca më e madhe e Shqipërisë është jashtë shërbimit si pasojë e zjarrit të rënë disa ditë më parë. Pasi heshti për 6 ditë, QSUT pranoi këtë të shtunë se nuk mund të ofrojë shërbimin në repartin e urgjencës si pasojë e daljes jashtë funksionit nga zjarri, ndërkohë që deklaroi se rastet urgjente po trajtohen në spitalin Shefqet Ndroqi dhe atë Memorial të Fierit.

Njoftimi i plotë i QSUT

Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” bën me dije se si pasojë e një defekti teknik në një nga dhomat e sherbimeve teknike 6 ditë më parë, në katin -1 të godinës së Spitalit Qendror në QSUT u konstatua tym dhe menjëherë u morën masat për mos përhapjen e tij në ambientet e shërbimit të urgjencës si dhe është bërë sigurimi i pacientëve të shtruar duke e vijuar shërbimin ndaj qytetarëve.

Për të mos cënuar shërbimin e urgjencës për qytetarët për shkak të këtij defekti teknik të ndodhur, bazuar në urdhrin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, shërbimi i urgjencës polivalente pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” vazhdon të ofrohet sipas një grafiku të mirëpërcaktuar në Spitalin Universitar të Traumës si dhe në Qendrën Spitalore Rajonale e Tiranës “Shefqet Ndroqi”.

Ndërsa qytetarët e Gjirokastrës, Vlorës , Fierit e Beratit do marrin urgjencën kardiologjike, atë të sëmundjeve të brëndshme e atë ortopedike në Spitalin Memorial, ndërsa urgjencat kardiologjike për qarkun Shkodër dhe Lezhë trajtohen në Spitalin Rajonal Shkodër.

Aksidentet vaskulare cerebrale trajtohen në Sherbimin Neurovaskular në QSUT ndërsa urgjencat e tjera neurologjike në QSR Shefqet Ndroqi.
Fale investimeve të bëra në të gjithe sistemin këtë dekadë dhe angazhimit të personelit shëndetësor, janë të gjitha kapacitetet e nevojshme për të ofruar përkohësisht shërbimin e urgjencës së spitalit qendror në këto struktura shëndetësore bazuar në planet e emergjencës.

Ndërkohë aktualisht strukturat përgjegjëse po vijojnë punën intensivisht për rikthimin sa më parë në punë të shërbimit të urgjencës në spitalin qëndror në QSUT duke garantuar dhe sigurinë e të gjithë elementëve teknik për të vijuar shërbimin ndaj qytetarëve me standartet e duhura.

Sistemi shëndetësor spitalor është i mobilizuar, për t’i shërbyer qytetarëve në çdo skaj te vendit për nevojat e tij shëndetësore.
Spitalet punojnë me staf të plotë për të pritur urgjencën e sëmundjeve kardiake, semundjeve të specialiteteve të ndryshme duke qenë në gadishmeri 24/7 koronarografi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *