25 Tetor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Si do të jetë klima e Tiranës në 2080-ën? Si Cordoba në Spanjë sot, 7 gradë me e nxehtë dhe 6.5 për qind më e thatë

Klima e Tiranës pas 60 vitesh do të jetë e ngjashme me atë që është aktualisht në qytetin e Cordobës në Andaluzi. Me pak fjalë, vera e Tiranës në 2080-ën do të jetë mesatarisht 6.9 gradë celcius me e nxehtë se sa është sot dhe 6.5 për qind më e thatë.

Për të kuptuar të ardhmen që na pret, shkencëtarët në Universitetin e Marylandit në SHBA kanë krijuar një hartë online të quajtur The Future Urban Climates, bazuar në të dhënat e Panelit Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike.

Si do të jetë klima e qytetit tim pas 60 vitesh? Kjo është pyetja që projekti i ri i aksesueshëm lirisht online përpiqet t’i përgjigjet dhe të bëjë të qartë në mënyrë të thjeshtë se çfarë duhet të presim për të ardhmen e afërt.

Një hartë që parashikon ndryshimet klimatike për mbi 40 mijë lokalite të ndryshme të botës duke përfshirë dhe dy qytetet më të rëndësishme të Shqipërisë; Tiranën dhe Durrësin.

Aplikacioni u jep përgjigje pyetjeve se sa do të jetë lagështia dhe temperatura mesatare në një qytet të caktuar në vitin 2080 krahasuar me sot dhe cili është qyteti më i afërt ku gjenden këto kushte sot.

Për shembull, nëse duam të dimë të ardhmen klimatike të Durrësit pas 60 vitesh duhet të udhëtojmë në Matagorda të Teksasit në SHBA, ku temperaturat janë aktualisht 7.1 gradë më të larta, ndërsa lagështia e ajrit është 7.2 për qind më e thatë.

Megjithatë në të dy rastet, ky është skenari nëse bota ruan trajektoren e emisioneve të larta të gazrave. Në skenarin tjetër, atë të reduktimit të emisioneve, rritja e temperaturave parashikohet rreth nivelit 2 gradë celcius duke e bërë klimën e Tiranës dhe Durrësit pas 60 vitesh të ngjashme me atë Torretës në Kalabri aktualisht ose të Tiranës të ngjashme me atë të Tasovcicit në Bosnje.

Një aplikacion, i cili ngjan me një lloj loje për të ardhmen e qyteteve tona, por që megjithatë përfaqëson një mjet efektiv për të vizualizuar në pak çaste ndryshimet klimatike që ndodhin kryesisht për shkak të rritjes së emetimeve njerëzore të gazrave ndotës si CO2.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *