Ministria e Kulturës ka prezantuar për konsultim publik draft-planin e menaxhimit të ish burgut të Spaçit. Ish-burgu dhe kampi i punës së detyruar i Spaçit është vendi më simbolik i kujtesës së mizorisë së regjimit komunist në Shqipëri dhe i vetmi që mbrohet si monument kulture. Aktualisht, gjendja e këtij monumenti është alarmante pasi ka degraduar, ndaj edhe plani propozon zbatimin urgjent të masave të shtuara të ruajtjes së tij.
Pas shqyrtimit të hollësishëm të skenarëve të mundshëm të menaxhimit, doli se modeli i menaxhimit që përshtatet më mirë në aspektin e qëndrueshmërisë dhe funksionalitetit është ai i një Fondacioni të krijuar nga një institucion i specializuar për trashëgiminë kulturore që mund të jetë Fondacioni për kujtesën e rezistencës në Spaç.
Organi themelues do të jetë vetë Ministria e Kulturës. Menaxhimi i pasurisë kulturore do t’i transferohet fondacionit të krijuar për këtë qëllim, i cili do të administrojë, ruajë, mbrojë pasurinë, rregullojë aksesin dhe shërbimet për publikun dhe promovojë pasuritë kulturore dhe veprimtaritë studimore dhe kërkimore sipas ligjit.
Në total, draft-strategjia parashikon jo vetëm rikonstruksionin e plotë, por edhe kthimin e tij kompleks muzeor që do të përfshihet në mënyrë strategjike në rrugë dhe itinerare që përfshijnë rrjete muzeumesh dhe vendesh memorie me tema të ngjashme që lidhen me shtypjen dhe persekutimin politik. Në nivel kombëtar, ai do të përafrohet strategjikisht me muzetë e tjerë të ngjashëm të përkushtuar për ruajtjen e kujtesës së komunizmit.
Po ashtu, parashikohet ndërtimi i një muzeu të posaçëm; Muzeut të Burgut dhe Kampit të Punës së Detyrueshme, i cili do të vendoset në fshatin Reps në fund të luginës, duke ofruar akses më të madh për të gjitha llojet e vizitorëve dhe hapësirë të bollshme parkimi. Muzeu me sitin do të lidhen me shërbim autobusi. Në total, I gjithë projekti parashikohet të ketë një kosto 4.2 milionë euro.
Scan TV