25 Tetor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Statkraft do të ndërtojë HEC gjigand në Devoll me fuqi sa gjithë kaskada e Drinit

Kompania norvegjeze Statkraft do të ndërtojë një hidrocentral të ri me fuqi të instaluar 1200 megavat në lumin e Devollit. Kapaciteti i instaluar e bën këtë hidrocentral veprën më të madhe energjetike të ndërtuar ndonjëherë në Shqipëri. Madje, fuqia e instaluar e këtij hidrocentrali është thuajse e barabartë me të gjithë kapacitetin e Kaskadës së Drinit.

Ndërtimi i hidrocentralit, që do të quhet RP Moglica Shtesë, pritet të nisë në viti 2026 dhe është parashikuar të përfundojë në 2030-ën. Përgjatë kësaj kohe kompania norvegjeze do të hartojë studimin e fizibilitetit dhe detajet teknike të projektit, që mbështetet në sistemin e rezervës së pompuar.

Projekti
Me përfundimin e punimeve dhe vënien në punë të HEC-it Moglicë, shoqëria “Devoll Hydropoëer”, sh.a., ka kryer disa studime paraprake dhe ka vlerësuar si alternativë tjetër për optimizimin e mëtejshëm të përdorimit të potencialit hidrologjik të lumit Devoll dhe HEC-eve të ndërtuara tashmë në të, nëpërmjet ndërtimit të një ujëmbledhësi me stacion pompimi, në pjesën e sipërme të lumit Devoll (“RP Moglica Shtese”).

Pas këtyre studimeve, qeveria dhe Statkraft kanë biseduar dhe dakordësuar për shtesën e 4-rt të kontratës së koncesionit e cila është e nevojshme për vijimin nga ana e shoqërive të studimeve të mëtejshme në terren dhe për vlerësimin e fizibilitetit të propozimit.

“RP Moglica shtesë” është një hidrocentral me sistemin e rezervës së pompuar që do të ndërtohet pranë hidrocentralit Moglicë dhe i lidhur me rezervuarin Moglicë në Luginën e Lumit Devoll, sipas përshkrimit në shtojcën A, duke përfshirë të gjitha punët civile dhe të gjitha instalimet elektro-mekanike, përfshirë por pa u kufizuar në turbinat, gjeneratorët, pajisjet ndihmëse të stacionit elektrik, transformatorët, pajisjen e zonës së pajisjeve elektrike dhe linjën e transmetimit në pikën e livrimit me sistemin e transmetimit të energjisë elektrike.

Rezervuari i Epërm i RP Moglica Shtesë gjendet rreth 8 km në lindje të Digës së Moglicës ku një pjesë e epërme në formën e një ene dhe pjesë e epërme relativisht e sheshtë e luginës është e përshtatshme për ruajtjen ditore të ujit për t’u perdorur nepërmjet një hidrocentrali me sistemin e rezervës së pompuar.

Rezervuari i Epërm do të përbëhet nga 2 diga me mbushje shkëmbore në lartësi nga 20 deri 70 m. Centrali nën-tokësor është i pajisur me turbina me pompë të kthyeshme. Kapaciteti i instaluar do të jetë afërsisht 800-1600 Më subjekt i projektit final.

RP Moglica Shtesë perfshin pjesët kryesore në vijim:
• Rrugët hyrëse ( ekzistojne pjesërisht);
• Rezervuari i HEC-it Moglicë (Rezervuari i Poshtëm, Ekzistues);
• Rezervuari i Epërm i RP Moglica Shtesë (Rezervuari i Pompuar; i Ri);
• Tunele uji nën-tokësore (nga Rezervuari i Epërm në Rezervuarin e Poshtëm);
• Central nën-tokësor me pajisjet e gjenerimit & transformatorët;
• Zonae pajisjeve elektrike/Nënstacioni 400 kV mbi tokë;
• Linja e trasmetimit 400 kv për lidhjen në piken e bashkimit (coupling);
• Linja e trasmetimit e tensionit të mesëm për shpërndarjen në kantiere të ndryshme ndertimi
dhe rezervuarin e epërm.

Zona e Projektit mund të arrihet nga infrastruktura e ngritur tashmë në HEC-in Moglicë. Projekt-Ideja e Rishikuar e cila i përket RP Moglica Shtese do të shërbejë si baza e përgjithshme për Projektin e Detajuar që do të dorezohet nga Koncesionari në aplikimin e tij për Leje Ndertimi, ku do të përcaktohet perfundimisht edhe vëllimi dhe kapaciteti i instaluar i Rezervuarit të Epërm të RP Moglica Shtesë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *