16 Korrik, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

‘Sterilizimi’/ Përplasja Beqaj-Cani për financimin: Si ndryshoi mendim ministri i Financave pas 45 ditësh

Koncesioni i Sterilizimit për të cilin prej disa ditësh janë të arrestuar ish zv.ministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj, nuk ka kaluar as pa përplasje mes vetë ministrave të kabinetit “Rama”.

Dosja e SPAK prej rreth 400 faqesh, ka të përfshira edhe disa korrespondenca mes ministrit të Shëndetësisë së kohës, Ilir Beqja dhe ministrit të Financave të po asaj periudhe, Shkëlqim Cani, ku fillimisht ky i fundit refuzon të japë miratimin e koncesionit e më pas jep “OK”, çka sipas prokurorisë ngre dyshime.

Në 10 tetor 2014, Beqja i ka dërguar një letër Canit ku e njofton për nisjen e procedurës së koncesionit/ partneritetit publik privat të shërbimeve të integruara të ofrimit të setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikale, si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale. Teksa i kërkon Canit miratimin e projektit, Beqja i ka bashkëngjitur edhe studimin e fizibilitetit dhe pasqyrat financiare.

Por sipas vendimit të gjykatës, si studimi i fizibilitetit ashtu edhe pasqyrat financiare të dërguara nga Ministria e Shëndetësisë janë të pafirmosura nga anëtarët e Komisionit. Dhjetë ditë më vonë, ministri Beqja i ka dërguar një tjetër letër kolegut të tij Shkëlqim Cani me disa informacione shtesë lidhur me koncesionin ku e kujton se projekti është brenda tavaneve buxhetore të kësaj ministrie dhe nuk kërkon fonde shtesë. Përgjigjja e ministrit të Financave, Shkëlqim Cani ka ardhur plot 40 ditë më vonë, në 27 nëntor 2014.

“Evidentojmë faktin se studimi i fizibilitetit është i pashoqëruar me argumentimin e Autoritetit Kontraktor për dhënien e koncesionit/ partneritetit publik privat i cili duhet të tregojë përmbushjen e kushteve të parashikuara në nenin 9 të VKM…”, thuhet ndër të tjera në letrën e Canit, çka do të detyronte ministrin Beqja të niste një tjetër letër shpjeguese në adresë të ministrit të Financave.

Rreth 20 ditë më vonë, Beqja ka nisur informacione shtesë të Financat ku i bashkëngjit edhe pasqyrat financiare që siç thotë “janë rishikuar me imtësi nga grupi i punës për të reflektuar më mirë një balancë ndërmjet shpenzimeve dhe të ardhurave të parashikuara, bazuar në studimin e fizibilitetit”.

Por sipas prokurorisë, një pjesë e madhe e informacionit shtesë që ka të bëjë me argumentimin për dhënien e koncesionit është i pafirmosur. Në 12 janar 2015, Shkëlqim Cani vlerëson se koncesioni është i favorshëm për shtetin dhe si i tillë duhet miratuar. Por pikëpyetjet e Prokurorisë janë të shumta pas kësaj përgjigje të Canit.

Pikëpyetjet e Prokurorisë:

“Nga ministria e Shëndetësisë është paraqitur i njëjti studim fizibiliteti i cili ishte refuzuar më parë për financim nga Ministria e Financave pasi nuk ka një argumentim të qartë në lidhje me analizën e zhvilluar për arritjen në konkluzionin që koncesioni/ PPP është procedurë ekonomikisht më e favorshme se prokurimi publik. Nuk rezulton që studimi i fizibilitetit të jetë ndryshuar dhe miratuar ndonjë ndryshim pas refuzimit nga Ministria e Financave.

Ndodhur në këto kushte kur jemi përpara të njëjtit Studim Fizibiliteti bëhet se paqartë se çfarë bëri të ndryshonte mendim Ministrinë e Financave vetëm 1 muaj e 15 ditë më vonë duke e miratuar në parim propozimin për financim. Po ashtu mbetet e paqartë përgjigjja e Ministrisë së Financave lidhur me faktin se ajo e shikon dokumentacionin vetëm nga pikëpamja formale.

Nëse kjo e fundit e shikon atë vetëm nga pikëpamja formale a mund të konsiderohet formalisht në rregull një dokument i panënshkruar? Nëse e shikonte dokumentacionin nga pikëpamja formale dhe studimi i fizibilitetit ka qenë i njëjtë nga pikëpamja formale pse e refuzoi herën e parë”, thuhet në argumentet e Prokurorisë të zbardhura në vendimin e gjykatës.

Balkanweb

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *