14 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Taksimi i pagave shndërrohet në lëmsh/ Tatimet detyrohen të sqarojnë qytetarët: Lehtësirat hyjnë në fuqi në 1 janar 2025

Administrata Tatimore ka sqaruar tatimpaguesit se nuk do të njohë zbritje nga paga për efekt të lehtësimit të taksave për deklaratat tatimore të vitit 2023 dhe ato të vitit 2024, pasi këto lehtësi do të hyjnë në fuqi nga 1 janari i vitit 2025.

Në ligjin për tatimin mbi të ardhurat parashikohet tatimpaguesit me të ardhura nga paga ose biznesi mund të zbresin nga 60 mijë deri në 600 mijë lekë në vit nga të ardhurat e tyre për efekt taksimi. Por Tatimet sqarojnë se ky lehtësim do të hyjë në fuqi nga data 1 janar e vitit të ardhshëm.

“Administrata Tatimore thekson se nuk do të aplikohen zbritjet sipas nenit 22 të Ligjit të “Tatimin mbi të Ardhurat”, por do të vijohet me përllogaritjen, mbajtjen dhe pagesën e TAP sipas formulës aktuale,” sqarojnë Tatimet.

Po kështu tatimet sqarojnë se edhe zbritjet për efekt të shpenzimeve që familjet bëjnë për arsimimin e fëmijëve do të hyjnë në fuqi po nga 1 janari i vitit të ardhshëm.

“Nga sa më sipër, përllogaritja dhe mbajtja e Tatimit mbi të Ardhurat nga Punësimi, për të gjithë të punësuarit, përgjatë vitit 2024, do të vijojë të kryhet në të njëjtën mënyrë sikurse deri më sot. Për individët me më shumë se 1 punësim gjatë një muaji, punëdhënësit përkatës do të deklarojnë dhe mbajnë TAP sipas vlerave, që përllogariten në listëpagesë dhe diferenca e TAP do të paguhet nga vetë individi me Deklaratën Individuale Vjetore 2024 (njësoj si për vitin fiskal 2023)’, sqaron Administrata Tatimore.

Për vitin 2024 nuk është e nevojshme të plotësohet deklarata mbi statusin personal, sipas nenit 66 të Ligjit të ri, sipas pikes 3 të këtij neni ku shprehimisht thuhet: “Deklarata mbi statusin personal përfshin të gjitha informacionet e nevojshme për të pretenduar zbritje nga e ardhura e tatueshme sipas nenit 22, pika 1, të këtij ligji”. Në kushtet që neni 22 i shtrin efektet nga janar 2025, edhe kjo deklaratë do të plotesohet duke nisur nga ky afat.

Formula aktuale e taksimit të pagave parashikon se punonjësit me pagë mujore deri në 50 mijë lekë nuk paguajnë tatim mbi pagën. Për punonjësit me pagë nga 50 mijë e 1 lekë deri në 60 mijë lekë, përjashtohet nga taksa fasha 35 mijë lekë dhe paguhet tatim 13 për qind për fashën nga 35 mijë e 1 lekë deri në 60 mijë lekë.

Për punonjësit me pagë nga 60 mijë e 1 lekë deri në 200 mijë lekë në muaj përjashtohet vetëm fasha 30 mijë lekë në muuaj nga taksimi. Ndërsa për fashën nga 30 mijë e 1 lekë deri në 200 mijë lekë paguhet 13 për qind.

Për pagat më të larta se 200 mijë lekë në muaj, çdo lekë mbi nivelin 200 mijë lekë taksohet me 23 për qind.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *