16 Korrik, 2024
Tirana, Albania
Investigim Kryesore Lajme nga vendi

Valsi i shkresave/ SPAK: Ministria e Financave refuzoi 5 herë të jepte miratim për inceneratorin e Tiranës

Në datën 28 shtator 2016, ministria e Mjedisit i dërgon ministrisë së Financave kërkesën për miratimin paraprak të studimit të fizibilitetit për koncesionin e inceneratorit të Tiranës.

Tre javë më vonë, ministria e Financave kthen përgjigje se nuk mund të shprehet për këtë projekt koncesionar për sa kohë nuk janë plotësuar kushtet, kriteret dhe dokumentacioni i përcaktuar nga ligjet në fuqi. Gjithashtu ministria e Financave i sjell në vëmendje ministrisë së Mjedisit që kostot e e projektit të jenë të planifikuara të përballohen brenda buxhetit vjetor të miratuar nga Kuvendi.

Gjatë kësaj kohe Komisioni i Dhënies me Koncesion, i ngritur nga ministria e Mjedisit me anëtare nga kjo ministri, Bashkia e Tiranës dhe Agjencia e Koncesioneve, zhvillonte mbledhjen e katërt dhe të pestë, ku mori vendim t’i propozojë qeverisë që shoqërisë Integrated Energy BV SPV t’i jepej bonus sa 8 për qind e pikëve për propozimin e pakërkuar. 

Pas refuzimit të parë, në 27 nëntor ministria e Mjedisit i dërgon sërish ministrisë së Financave, kërkesën për miratim së bashku me studimin e fizibilitetit dhe draft kontratën e koncesionit.

Tre ditë më vonë, në datën 30 nëntor, ministria e Financave e refuzon sërish miratimin. Në kthimin e përgjigjes ministria e Financave thotë se nga ana e ministrisë së Mjedisit nuk është shprehur qartë nëse bashkitë e qarkut Tiranë e kanë parashikuar mbulimin e tarifës në buxhetin e tyre afatmesëm. Sipas Financave, në relacionin e projektvendimin të bonusit nga njëra anë përcaktohet se koncesioni i inceneratorit të Tiranës nuk do të ketë efekte shtesë në buxhetin e shtetit sepse është investim privat, ndërsa nga ana tjetër thuhet se bashkitë e qarkut do të paguajnë tarifën e depozitimit të mbetjeve.

Hyn në lojë qeveria

Një javë më vonë, në 7 dhjetor, Këshilli i Ministrave miraton vendimin që i jep bonusin 8 për qind shoqërisë Integrated Energy edhe pse ministria e Financave nuk kishte dhënë miratimin e financimit për këtë projekt.

Pas miratimit të bonusit në qeveri, ministrisë së Financave i kërkohet sërish miratimi i financimit të projektit, por këtë herë jo më nga ministria e Mjedisit, por nga Komisioni i Dhënies me Koncesion. Në datën 27 dhjetor 2016, Komisioni mbajti procesverbalin e mbledhjes së 7-të ku vendosi t’i dërgohet sërish ministrisë së Financave kërkesa për miratim shoqëruar me studimin e fizibilitetit dhe draf kontratën e koncesionit.

Gati një muaj më vonë, në 23 janar 2017, ministria e Financave i ka kthyer përgjigje ministrisë së Mjedisit duke kërkuar sqarime shtesë në lidhje me efektet shtesë që do të kishte ky projekt në buxhetin e shtetit, analizën krahasuese se pse duhej me koncesion dhe jo të ndërtohej nga shteti, si do të përballoheshin kostot e shpronësimit si dhe sqarime për normën e kthimit të investimit.

Në 1 shkurt 2017, ministria e Mjedisit ka ridërguar për herë të katërt kërkesën për miratim në ministrinë e Financave.

Dy javë më vonë, ministria e Financave i ka kthyer përgjigje ministrisë së Mjedisit duke i bërë me dije që përpara se të shpallë procedurën e dhënies me koncesion duhet të reflektojë rekomandimet e ministrisë së Financave në shkresën e 23 janarit 2017, për efektet në buxheti, analizën krahasuese etj.

Në 21 shkurt, ministria e Mjedisit i ka ridërguar sërish kërkesën për miratim ministrisë së Financave duke pasqyruar në të materiale shtesë sipas rekomandimeve të Financave.

Në 2 mars, ministria e Financave refuzon për herë të pestë miratimin duke i kërkuar ministrisë së Mjedisit, që të marrë aprovimin nga qarku Tiranë, pasi projekti do të prekte financiarisht të gjitha bashkitë e qarkut.

Ndërkohë Alqi Bllako i kishte nisur sakaq shkresën për miratim bashkisë së Tiranës në 28 shkurt. Një muaj më vonë, në 27 mars, kryetari i Bashkisë së Tiranës i kthen përgjigje shkresës së Alqi Bllakos për miratim duke u shprehur parimisht dakord me studimin e fizibilitetit.

Një ditë më vonë, në 28 mars, ministria e Mjedisit i dërgon për herë të gjashtë kërkesën Ministrisë së Financave për miratimin përfundimtar të procedurës koncesionare.

Në goditjen e 6-të diga u ça. Në datën 6 prill, ministria e Financave e ka dhënë miratimin pa koment, duke i kujtuar ministrisë së Mjedisit se financuesi dhe përfituesi kryesor i këtij projekti do të ishte Bashkia Tiranë. Gjithashtu, në të njëjtën shkresë, Arben Ahmetaj i kërkon ministrisë së Mjedisit që të marrë miratimin edhe nga njësitë e tjera të qeverisjes vendore të përfshira në këtë projekt lidhur me përballimin prej tyre të riskut financiar të mosplotësimit të sasisë së mbetjeve.    

Materialet e mësipërme janë marrë nga 11 faqet e para të dosjes që SPAK ka çuar në gjykatë për sekuestrimin e inceneratorit të Tiranës. Këto 11 faqe të publikuara një ditë më parë nga portali CNA na tregojnë dhe arsyen se pse SPAK ndoshta nuk ka arritur të ngrejë dot akuzë për shpërdorim detyre ndaj ish ministrit të Financave. Sepse sipas vetë SPAK, ministria e Financave e bllokoi për 6 muaj me radhë koncesionin e inceneratorit të Tiranës, duke refuzuar plot pesë herë të jepte miratimin e këtij projekti, edhe pse qeveria kishte miratuar ndërkohë bonusin 8 për qind të pikëve.

Pra, tani e morëm vesh kush është Aleks Xinxa i inceneratorëve. Ndoshta 39 faqet e mbetura do të na tregojnë dhe shokun Taras, kryetarin e vërtetë të lëvizjes nacionalclirimtare për shpëtimin e Shqipërisë nga plehrat.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *