Kompania ajrore “Air Albania” ka reaguar pas lajmeve se është vënë nën sekuestro për shkak të borxheve të papaguara. Përmes një postimi në rrjetet sociale, kompania me kapital shtetëror, bën me dije se “financat e saj janë të sigurta dhe është duke u përgatitur për sezonin e festave”. Kompania pranon faktin se aksionet e saj janë në sekuestro por e quan të rremë lajmin e publikuar një ditë më parë nga Kapitali.al.
“Air Albania qartëson opinionin publik se gjendja financiare e kompanisë është e shëndetshme dhe çdo raportim ndryshe është ekzagjerim i një procedure private mes kompanisë dhe palëve të treta, praktikë e shpeshtë në aktivitetet tregtare. Mbetemi të angazhuar në tregun vendas dhe ndërkombëtar me përvojën më të shkëlqyer të udhëtimit me destinacione të reja dhe oferta të dedikuara për pasagjerët tanë”, – thuhet ndër të tjera në reagimin e kompanisë.
Por financat e shëndetshme të Air Albania i di vetëm ajo, pasi prej 5 vitesh kompania nuk bën publik asnjë bilanc në kundërshtim me ligjin. Air Albania nisi fluturimet në vjeshtën e vitit 2019, ndërkohë që, sipas të dhënave të fundit të disponueshme, që i përkasin muajit korrik 2023 ajo është kompania e dytë zotëruese e tregut ajror, me 8.27%.