25 Tetor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore

Ana e errët e turizmit/ Portugalia heq nga tregu 30% të apartamenteve në AIRBN për shkak të krizës së strehimit

Qeveria portugeze miratoi një paketë masash të rrepta për të kufizuar banesat që jepen me qira afatshkutra për shkak të emergjencës kombëtare të strehimit. Portugalia po përballet me një krizë të paprecedentë strehimi, ku raporti mes qirasë dhe rrogës mesatare ka arritur në 90 për qind.

Kjo do të thotë se familjet mesatare në Portugali duhet të paguajnë deri në 90 për qind të të ardhurave të tyre për qiranë e banesës.

“Ka çifte të divorcuar që nuk mund të largohen sepse nuk mund ta përballojnë qiranë nëse jetojnë në banesa të ndryshme, gjë që unë mendoj se është brutale. Të moshuarit po zgjedhin mes pagesës së qirasë apo ilaçeve, kështu që po shkurtojnë jetën e tyre për të pasur një çati,” thotë komediani dhe aktivisti Diogo Faro, i cili u shndërrua rastësisht në një nga aktorët kryesorë të lëvizjes për strehim të përballueshëm.

Shkak për këtë situatë të çmendur është bumi turistik dhe veçanërisht qiratë afatshkurtra.

Një pjesë e madhe e apartamenteve në Portugali listohen me qira afatshkurtër për turistët e huaj përmes platformave elektronike ndërkombëtare si AIRBNB. Kjo ka bërë që çmimet e qirave të shkojnë në qiell duke e bërë të pamundur strehimin për një pjesë të madhe të qytetarëve portugez.

Paketa

Paketa e masave të qeverisë portugeze përfshin së pari pezullimin e liçencave të reja për pronarët që duan të japin banesat e tyre me qira afatshkurtër, që do të thotë se autoritetet portugeze nuk do të lëshojnë më asnjë liçencë të re për qiratë afatshkurtra.

Por veç pezullimit të licencave të reja, paketa pritet që të nxjerrë nga tregu i qirave afatshkurtra më shumë se 30 për qind të pronave ekzistuese. Kjo përmes disa masave, të cilat detyrojnë pronarët të regjistrohet në njësitë vendore si dhe të provojnë se banesat e tyre po përdoren. Ndërkohë pronarët e apartamenteve të listuara në AIRBNB, të cilët do i nxjerrin nga listimi dhe do t’i kthejnë ato në tregun e qirave normale do të marrin bonus nga qeveria.

Aktualisht Portugalia ka mbi 120 mijë prona të listuara në AIRBNB. Në disa lagje të qyteteve të mëdha si Lisbona, pesha e apartamenteve të AIRBNB përbën deri në 60 për qind të totalit të pronave duke lënë mijëra familje të tëra portugeze pa një çati, aq sa në periferi të qyteteve janë ngritur lagje me tenda ku jetojnë të pastrehët.

Përveç masave shtrënguese mbi qiratë afatshkurtra, qeveria përfundoi programin e vizave të arta, si dhe hoqi incenetivat fiskale për të huajt që blejnë prona në Portugali dhe nomadët dixhitalë.

Kriza e paprecedentë e strehimit në Portugali është shembulli më tipik i anës së errët të turizmit. Pasojat dramatike sociale që fluksi i pakontrolluar turistik mund të ketë mbi qytetarët vendas. Por Portugalia nuk është vendi i vetëm që po përballet me këtë situatë.

Viena, Berlini dhe madje dhe shumë qytetete të tjera në Europë po ndërmarrin me shpejtësi masa drastike për të kufizuar qiratë afatshkurtra, të cilat kanë tronditur ekuilibrat në tregun e pasurive të patundshme duke krijuar situatë emergjente strehimi për popullsitë lokale.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *