16 Korrik, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Arben Ahmetaj sërish i pandehur në SPAK, këtë herë nën akuzë për privatizimin e ish-fabrikës së Bukës në Tiranë, sot ‘Emerald Center’! I shkaktoi shtetit 7 mld lekë të vjetra dëm

Prokuroria e Posaçme SPAK ka marrë të pandehur për herë të dytë në mungesë ish zvkryeminstrin Arben Ahmetaj, këtë herë për privatizimin e ish-ndërmarrjes shtetërore fabrikës “Buka.sha”. Dosja është hetuar nga prokurori Elvin Gogaj, i cili u ka komunikuar avokatëve akuzën e re për ish zv/kryeministrin tashmë në arrati.

Prokuroria thotë se nga ky hetim ka rezultuar se Ahemtaj është i përfshirë në rolin e zëvendës kryeministrit në ‘shpërdorim detyre’ dhe një dëm ekonomik në vlerën e 7 miliard lekëve ndaj familjes Myderizi pronare e mbi 50 % të aksioneve, tek ish ndërmarrja aksionere ‘Buka Sha’.

Krahas Ahmetajt për këtë privatizim po hetohen edhe 12 persona te tjere me tyre ish sekretari Përgjithshëm i Ministrisë së drejtuar nga Ahmetaj dhe biznesmeni Lirim Fezollari.

Oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit të cilët kanë marrë në pyetje Arben Ahmetajn kur ishte në Shqipëri, dhe të dyshuarit ndër veprimet e tjera kanë gjetur edhe komunikime të shpeshta të ish zv.kryeministrit me biznesmenin para privatizimit, madje ata kanë udhëtuar bashkë jashtë vendit. Në praktikën e privatizimit të ndërmarrjes në të cilën edhe shteti ishte aksioner rezulton se është gjetur shkelje mbi një vendim të Gjykatës Kushtetuese, e cila detyronte shtetin të pranonte si çmim shitje atë të vlerës së tregut dhe jo vlerën e vitit 1994.

Ky është procedimi i dytë penal ndaj Ahemtaj, pasi në një tjetër procedim për aferën e inceneratorit tashmë ai është shpallur në kërkim dhe rezulton se është larguar nga Shqipëria. Dosja ka qenë më herët në Prokurorinë e Tiranës, e cila ka vendosur moskompetencë për shkak të subjektit të kallëzuar penalisht të lidhur me veprën penale siç ishte ish zv.kryeministri dhe aktualisht deputeti Ahmetaj.

Ndërkohë për biznesmenin Fezollari, ish-sekretarin e Përgjithshëm të ministrisë, Drejtorin e Drejtorisë së Pronës Publike, Administratorin e ‘Buka sha’ dhe të tjerë zyrtarë të përfshirë, hetimi vazhdon është i hapur dhe po ndiqet nga SPAK. Ndaj personave ka nisur edhe hetimi pasuror, për të zbuluar nëse nga aktiviteti i paligjshëm i shpërdorimit të detyrë ka edhe pasuri të përfituara padrejtësisht.

Hetimet e SPAK, nisën në bazë të kallëzimit të trashëgimtarëve të ish-pronarit, familjes Myderizi, të cilët kanë fituar të drejtën e rikthimit të truallit, ku gjendej më parë furra elektrike e “Buka” sha, në zonën e “5 Majit” në Tiranë.

Ish-ministri Ahmetaj vijon të jetë deputet, por prej 24 gushtit 2023 administrata e Kuvendit i ka ndërprerë page dhe shërbimet mbështetëse që vijnë për shkak të detyrës si pagesa për telefonin, automjetin, karburantin si dhe shpenzimet e banimit. Ahmetaj u largua nga Shqipëria para se të firmosej urdhër-arresti dhe ende nuk behet me dije vendodhja e tij. Ai është shpallur në kërkim ndërkombëtar prej 24 korrikut 2023, pasi akuzohet për “mosdeklarim, deklarim të rremë dhe fshehje të pasurisë”, vetëm dhe në bashkëpunim, “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në gjashtë raste, “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Në një dosje voluminoze të SPAK, për çështjen e incineratorëve, Ahmetaj akuzohet se me veprimet apo mosveprimet e tij ka ndihmuar biznesmenët Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri të fitojnë projektet për inceneratorët kundrejt përfitimeve monetare.

Shqiptarja.com

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *