25 Tetor, 2024
Tirana, Albania
Investigim Kryesore Lajme nga vendi

“Dhuratë” nga buxheti/ Qeveria i shton dhe 3.5 mln euro Gjikurisë për rrugën Palasë-Dhërmi

Ndërtimi i rrugës nga Palasa deri në Dhërmi u tenderua në vitin 2021 me fond limit të paracaktuar prej 1.62 miliardë lekë. Në garën e zhvilluar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar u paraqitën 7 oferta, ku më e ulëta ishte ajo e kompanisë Gener 2 me 976 milionë lekë ose rreth 9.3 milionë euro.

Por ARRSH shpalli fituese kompaninë Gjikuria, e cila ofroi ta ndërtonte rrugën me 1.56 miliardë lekë ose rreth 14.8 milionë euro. Gener 2 dhe disa kompani të tjera me oferta më të ulëta u skualifikuan me arsyetimin e zakonshëm të mos plotësimit të kritereve kualifikuese dhe u zgjodh oferta që ishte 5.5 milionë euro më shtrenjtë se oferta e Generit.

E megjithatë marrëzia e rrugës Palasë Dhërmi nuk mbaroi këtu. Tani qeveria ka vendosur të japë edhe 3.5 milionë euro të tjera si shtesë kontratë për ndërtimin e rrugës. Shtesa është parashikuar në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm dhe do të disbursohet në 4 vitet në vijim.

Si përfundim, kosto finale për ndërtimin e rrugës Palasë-Dhërmi me shtesën e re shkon 1.94 miliardë lekë ose 18.5 milionë euro. Fiks dy herë më shtrenjtë se oferta më e mirë e tenderit për rrugën.

Me pak fjalë një kompani private ofron të ndërtojë një rrugë me 9.3 milionë euro. Por ARRSH shpall fituese kompaninë tjetër me ofertë më të lartë, të cilës me dhuratën e fundit nga buxheti do t’i paguajë plot 18.5 milionë euro. Kështu taksapaguesit shqiptarë detyrohen të paguajnë 9.2 milionë euro më shumë.

Por rruga Palasë-Dhërmi nuk është segmenti i vetëm që merr para nga buxheti përtej çmimit të ofruar në tender. Pak ditë Kapitali.al raportoi se e njëjta gjë ndodh edhe më rrugën Korçë-Ersekë. Madje në rastin e Korçë-Ersekë, shtesa është plot 5 milionë euro.

Shtesat në seri për kontratat e mëdhë publike në infrastrukturë janë shndërruar në një gropë thithëse, që tret në ajër paratë e qytetarëve. Eksperienca në Shqipëri ka treguar se sa herë që tenderi fitohet nga oferta të cilat kanë diferenca të mëdha me ofertat më të favorshme, nga pas qëndron gjithmonë një aferë korruptive. Afera e rrugës Kardhiq-Delvinë dhe Unaza e Tiranës duhet të mjaftojnë si shembuj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *