25 Tetor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

E padëgjuar, Gonxhja i dha 70 mijë euro Top Channel-it si mbështetje financiare nga paratë e DPSHTRR

Blerja e mediave nga pushteti në Shqipëri është një fenomen i përhapur gjerësisht, i cili ka shqetësuar jo pak ndërkombëtarët. Por në shumicën e rasteve kapja e mediave ndodh me para cash ose me forma të sofistikuara, të cilat nuk lënë gjurmë direkte. Por jo në rastin e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor në kohën që drejtohej nga Blendi Gonxhja.

Agjencia Investigative Ina Media ka zbuluar një rast, jo vetëm flagrant, por edhe të padëgjuar më parë të blerjes së mediave me para publike. Sipas saj, në korrik të vitit 2022, Këshilli Mbikqyrës i DPSHTRR mori një vendim për t’i dhënë televizionit kombëtar Top Channel, 70 mijë euro si mbështetje financiare. Këto para u morën nga fitimet e majme, të cilat DPSHTRR nxjerr nga tarifat e rënda që u vendos qytetarëve.

“Sipas vendimit të Këshillit Drejtues, nr 27 datë 01.07.2022 “Për miratimin e llogarive vjetore dhe ndarjen e fitimit netodhe miratimin e kapitalit të vitit 20211″ janë përdorur në vitin 2022, 7 milionë lekë për mbështetje financiare për Top Channel,” thuhet në shënimet e pasqyrave financiare të DPSHTRR për vitin 2022.

Edhe pse ky fakt është i dokumentuar zyrtarisht në shënimet e pasqyrave financiare, DPSHTRR e mohon. “DPSHTRR nuk e ka financuar televizionin Top Channel në asnjë lloj forme, as në formën e ndihmës sociale”, – shprehet agjencia. Zyra e Marketingut të Top Channel-it nuk iu përgjigj interesimit të INA Medias lidhur me këtë fond.

Por pavarësisht pretendimeve të DPSHTRR, ky është një rast i padëgjuar më parë, ku një institucion publik përdor drejtëpërdrejtë fitimet e nxjerra nga tarifat e qytetarëve për t’i dhënë para një televizioni kombëtar. Dhe në këtë rast ka dy pikëpyetje shumë të mëdha, abuzimi i parasë publike dhe blerja direkte e mediave.

Bilanci
Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor arriti një bilanc pozitiv me 5.6 milionë euro fitime nga 30.1 milionë euro të ardhura, të mbledhura nga tarifat. Fitimi i vitit 2021 ishte dhe më i lartë, 6.8 milionë euro. Me fitim 1.8 milionë euro rezultoi kjo agjenci edhe gjatë vitit të pandemisë, 2020, kur shumica e kompanive publike dhe private pësuan humbje të thella.

Të ardhurat e agjencisë vetëm vitin e shkuar u shtuan me 5 milionë euro, ndërsa fondet e saj në bankë kapin vlerën 30 milionë euro.

“Si rregull, institucionet kanë edhe borde drejtues, të cilët nuk vendosin aty thjesht për të bërë ‘qoka’, por funksionojnë për të monitoruar lidhjet e linjës politike dhe ekonomike me atë që bën administrimi, që është drejtori ekzekutiv apo administratori. Kur çedohet nga kjo hallkë, lihet hapësirë për abuzim në shpenzime”, – thotë Eduart Gjokutaj.

Statuti e lejon DPSHTRR që një pjesë të fitimit ta mbajë për rezervë të kapitalit dhe për zhvillim. Deri në 15% mund ta ndajë për shpërblim të punonjësve dhe një pjesë tjetër, për ndihma sociale. Mbështetur në këtë nen të statutit, Këshilli Drejtues i kësaj agjencie në korrik të vitit 2022 ka dhënë 67 mijë euro mbështetje financiare për televizionin Top Channel. Ky fakt është shënuar edhe në bilancin e audituar të kësaj agjencie, por që mohohet nga DPSHTRR.

“Bamirësia” për televizionin më të madh në Shqipëri nuk është shpenzimi i vetëm, i pajustifikuar i DPSHTRR. Vitet e fundit agjencia ka nisur një plan për të rikonstruktuar pjesën më të madhe të godinave të saj.

Në vjeshtën e vitit të kaluar DPSHTRR zhvilloi tenderin për të rikonstruktuar ndërtesën qendrore në kryeqytet për 7 milionë euro. Projekti i hartuar nga arkitekti italian, Stefano Boeri, dhe firma Son Engineering, parashikon një ndërtesë 7-katëshe (5 mbi dhe dy nëntokë), me sipërfaqe 6.105 m2, bashkë me 39 vende parkimi. Kostoja e rikonstruksionit për metër katror llogaritet 1.146 euro. Kjo shifër është gati dy herë më e lartë sesa kostoja e ndërtesave civile në kryeqytet, të cilat kanë shpenzime shtesë të truallit dhe të taksave dhe 3 herë më e lartë se çmimi që ndërton Enti Kombëtar i Banesave.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *