25 Tetor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Katastrofa mjedisore/ As shiu i rrëmbyer nuk shuan flakën e plehrave të Vlorës

Nga Boldnews.al

Reshjet e dendura të fundjavës përmbytën një sërë zonash të qytetit të Vlorës, ashtu siç ndodhi në të gjithë Shqipërinë. Megjithatë, shiu, megjithë masivitetin e tij, nuk arriti të shuajë vatrrat e zjarrit, të cilat qëndrojnë aktive prej shumë javësh në fushën e depozitimit të mbetjeve në qytetin bregdetar.

Pamjet e siguruara nga “Boldnews.al” tregojnë se fusha e plehrave të Vlorës vijon të lëshoj tym toksik nga djegia e materialeve të ndryshme, përfshirë edhe ato të rrezikshme.

Problemi i djegies së mbeturinave në qytetin e Vlorës është shndërruar në një problem ciklik, i cili po u merr frymën në kuptim e parë banorëve të qytetit dhe deri më tani nuk është zbuluar shkaku apo shkaktarët e kësaj situate të rëndë toksike.

Gjatë verës, në kulmin e sezonit veror, shtëllungat toksike nga fusha e vjetër e mbetjeve urbane ishte kartolina kryesore për turistët vendas e të huaj, të cilët zgjodhën të freskoheshin në bregun e Vlorës.

Kjo situatë po vijon prej shumë kohësh, ndërkohë që premtimi i qeverisë së Edi Ramës për të ndërtuar sa më shpejt landfillin e ri në zonën e Sherishtës ka mbetur thjesht në letër.

Në qershor të vitit 2020, Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Mbetjeve Urbane (AKUM) mbylli tenderin e dyshimtë për ndërtimin e landfillit të ri të Vlorës, me vlerë 21 milionë euro.

Një pjesë e financimit, në vlerë 10 milionë euro, u sigurua nga një kredi e Bankës Gjermane (KFW) dhe procedura u fitua nga kompania e përhershme, “Integrated Technology Service” në pronësi të Klodian Zotos, aktualisht në kërkim për aferat me inceneratorët e Elbasanit, Fierit dhe Tiranës.

“Boldnews.al” ka kërkuar në mënyrë të vazhdueshme informacion zyrtar mbi procedurat e tenderit dhe pjesëmarrësit në të.

Por, institucionet e ngarkuar me këtë procedurë, përfshirë Ministrinë e Infrastrukturës, Agjencinë Kombëtare të Mbetjeve dhe Bashkia e Vlorës, kanë refuzuar të kryejnë transparencën.

Madje, edhe një seancë dëgjimore e zhvilluar pranë Komisionerit për Informim nuk mjaftoi për të siguruara të dhënat se si u zhvillua kjo procedurë, cilët ishin pjesëmarrësit dhe se sa ishin ofertat e tyre.

Gjithçka që dihet është që fitues u shpall “ITS” e Zotos dhe ky fakt u zbulua nga faqja zyrtare e financuesit, “KFW”-ja gjermane.

Tenderi me vlerë 10 milionë euro për landfillin e Sherishtës parashikonte që projekti do të përfundonte brenda një viti, pra maksimumi në fund të vitit 2021.

Kur kanë kaluar më shumë se dy vjet nga përfundimi i afatit maksimal, landfilli i Sherishtës ende nuk është përfunduar.

Pak javë më parë, kryeministri Edi Rama gjendej në një vizitë inspektuese në zonën e Vlorë-Himarës. Në këtë shëtitje ishte i shoqëruar nga kryebashkiaku i Vlorës, Ermal Dredha.

Shefi i qeverisë kërkoi nga kryebashkiaku i zgjedhur prej tij që problemi i landfillit të vjetër të zgjidhej brenda pranverës së vitit të ardhshëm (2024).

Kryebashkiaku Dredha i premtoi shefit të tij se gjithçka do të zgjidhej para sezonit të ardhshëm turistik.

Ermal Dredha ka dhënë premtime të ngjashme edhe më parë, por deri më tani asnjë nuk ka ndryshuar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *