25 Tetor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Kompanitë e sigurimit kundërshtojnë skemën shtetërore të sigurimit nga tërmetet

Kompanitë e sigurimeve kanë kundërshtuar projektligjin e qeverisë që detyron qytetarët të sigurojnë banesat nga tërmetet në një skemë shtetërore. Përmes Shoqatës së Siguruesve, kompanitë e sigurimit i kanë dërguar një letër ministrisë së financave ku shprehen parimisht pro nismës për sigurimin e detyrueshëm të banesave, por nuk duan që ajo të jetë shtetërore.

Sipas siguruesve, modelin me skemë shtetërore nuk e ndjek asnjë prej vendeve të Europës, përfshirë Turqinë apo Rumaninë, të cilat qeveria i referon si shembuj në relacionin e projektligjit. Siguruesit thonë se në këto vende skema nuk është tërësisht shtetërore, sikurse pretendon qeveria, pasi përfshin edhe shoqëritë private të sigurimeve si palë në shitjen e këtij produkti.

Në letër, kompanitë e sigurimit pretendojnë se skema shtetërore e propozuar do të rrisë kostot për qytetarët duke i detyruar ata të paguajnë siguracion më të lartë për banesat e tyre, pasi qeverisë do t’i duhet që të ngrejë nga e para infrastrukturën dhe kapacitetet për të mundësuar ofrimin e këtij shërbimi, ndërkohë që kompanitë private i disponojnë sakaq këto kapacitete.

Vecc kësaj, Shoqata e Siguruesve thotë se qeveria do ta ketë të vështirë të gjejë programet e duhura të risigurimit nga kompanitë e mëdha botërore dhe kjo do të sillte të tjera kosto shtesë.

Paralelisht kompanitë e sigurimit pretendojnë se ligji i propozuar nga qeveria bie ndesh me Kushtetutën, pasi cënon sipërmarrjen private dhe lirinë ekonomike.

“Kjo mund të jetë bërë nisur edhe nga projekte të mëparshme të inicuara nga konsulentë të huaj të organizmave ndërkombëtarë por që cenon drejtpërsëdrejti interesat e qytetarëve shqiptarë duke e rënduar koston e sigurimit nga tërmeti si dhe njëkohësisht më të duke marrë në konsideratë lënien jashtë të operatorëve të tregut të sigurimeve në Republikën e Shqipërisë rendimin e imazhit të një tregu financiar tashmë të konsoliduar me investitorë edhe shoqëri sigurimi të tregut europian. Ky veprim përveç të tjerave do cenojë integritetin e tregut të sigurimeve në Shqipëri brenda dhe jashtë vendit si dhe do të ulë interesin e qytetarëve për tu siguruar në sigurimet vullnetare, duke cenuar punën e tregut dhe të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare i cili ka verifikuar shoqëritë e sigurimeve,” shprehen ata.

Sipas tyre, përfshirja e sektorit privat në skemë do të ulte ndjeshëm primin që do të paguajnë qytetarët për të siguruar banesat

“Për arritjen e këtij qëllimi, ne propozojmë që projektligji të ndryshohet duke i mundësuar shoqërive të sigurimit ofrimin e këtij sigurimi për qytetarët, sipas kapaciteteve të aftësisë paguese dhe risigurimit që ato kanë aktualisht. Një qytetar që e siguron pronën nga tërmeti pranë një shoqërie sigurimi sipas kushteve të këtij projektligji, nuk mund të detyrohet të sigurohet edhe pranë shoqërisë/entit shtetëror. Shoqëritë e sigurimeve kanë paguar rreth 40 milionë euro dëme të shkaktuara nga tërmetet e vitit 2019,” përfundon letra.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *