Kryqëzata evropiane kundër shpyllëzimit rrezikon të shkaktojë efekte anësore serioze në tregun e kafesë dhe kakaos, duke përfshirë shkatërrimin e mijëra tonëve stoqe të mbajtura në magazinat doganore: një zhvillim që mund të ketë pasoja në disponueshmërinë e produkteve dhe padyshim në çmimet, të cilat tashmë kanë arritur nivele rekord kohët e fundit.
Alarmin e ka ngritur Qendra Ndërkombëtare e Tregtisë (ITC), një agjenci e lidhur me OKB-në dhe OBT-në. Qindra mijëra ton kafe dhe kakao të ruajtura në magazinat e BE-së rrezikojnë të shkatërrohen si pasojë e paparashikuar e ligjit të bllokut për shpyllëzimin, i cili hyri në fuqi në qershor të këtij viti. Ligji synon të ndalojë produktet që përfshijnë kafenë, kakaon, vajin e palmës dhe gomën që janë rritur në zonat e shpyllëzimit të mos shiten brenda bllokut.
Por Intercontinental Exchange (ICE), një nga platformat kryesore të tregtimit të kafesë dhe kakaos, ashtu edhe Qendra Ndërkombëtare e Tregtisë, një agjenci e përbashkët e OKB-së dhe Organizatës Botërore të Tregtisë, kanë paralajmëruar se kafeja dhe kakaoja prodhohen dhe ruhen në BE gjatë një periudha e tranzicionit që zgjat deri në dhjetor 2024 mund të konsiderohet e papajtueshme. ITC ka paralajmëruar se sasirat e mëdha do të duhet të shkatërrohen ose të shiten jashtë BE-së duke krijuar një mungesë të madhe të këtij produkti në treg.
Kaos në treg
Shumica e firmave globale të kafesë nuk do të jenë gati të pajtohen me ligjin e ri të Bashkimit Evropian që parandalon importet e mallrave të lidhura me shpyllëzimin dhe fermerët e vegjël mund të vuajnë pasoja të rënda, ka gjetur një raport i madh i sektorit të kafesë.
Ligji historik i BE-së, i cili hyn në fuqi në fund të vitit 2024, kërkon që importuesit e mallrave si kafeja, kakaoja, mishi i viçit, soja, goma dhe vaji i palmës të prodhojnë një deklaratë të kujdesit të duhur që vërteton se mallrat e tyre nuk po kontribuojnë në shkatërrimin e pyjeve si burimi kryesor i ndryshimit të klimës.
Shpyllëzimi është përgjegjës për rreth 10 për qind të emetimeve globale të gazeve serrë që nxisin ndryshimet klimatike dhe ligji synon të trajtojë kontributin e BE-së për këtë. “Investimi në komunitetet bujqësore në peizazhe të cenueshme mund të duket i rrezikshëm, megjithatë këto investime janë thelbësore për të trajtuar shkaqet rrënjësore të shpyllëzimit global,” tha Niels Haak nga Conservation International, një nga sponsorët e raportit.
Kafeja prodhohet nga rreth 12.5 milionë fermerë në afërsisht 70 vende, por vetëm 5 prej tyre – Brazili, Vietnami, Kolumbia, Indonezia dhe Hondurasi – prodhojnë 85 për qind të kafesë në botë. Pjesa e mbetur prej 15 përqind prodhohet nga 9.6 milionë fermerë ose dy të tretat e totalit, në vende si Etiopia, Uganda, Tanzania, Kenia, Peruja, Guatemala, Nikaragua, El Salvadori, Kosta Rika dhe Meksika.
Këto vende kanë “infrastrukturë të papërshtatshme dhe nivele të ulëta gjurmueshmërie”, thuhet në raport. “Pa mbështetje proaktive nga blerësit, pronarët e vegjël pa organizim dhe burime për të siguruar të dhënat e nevojshme për pajtueshmërinë (me ligjin) do të kenë pasojat fillestare,” thuhet në raport.
Ligji i BE-së për shpyllëzimin ka shkaktuar shumë shqetësim në mesin e vendeve prodhuese. Indonezia ka akuzuar BE-në për “imperializëm rregullator”, ndërsa Malajzia ka thënë se ligji është një “përpjekje e qëllimshme” për të rritur kostot dhe barrierat për sektorin e vajit të palmës – një burim kyç i të ardhurave nga eksporti për vendin.
Afërsisht 130,000 hektarë pyje janë humbur çdo vit gjatë 20 viteve të fundit për shkak të pastrimit të tokës për kultivimin e kafesë, ndërsa fermerët – shumica e të cilëve mbeten në ose nën kufirin e varfërisë – përpiqen të përballojnë jetesën, zbuloi Barometri i Kafes.
Çmimi i kafesë është rritur 5.1 dollarë për kilogram ose 6.78% që nga fillimi i 2023, ndërkohë që rritja e çmimeve pritet të përshpejtohet me hyrjen plotësisht në fuqi të ligjit në fund të vitit tjetër.