15 Prill, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Si e nxori SPAK-un zbuluar Arben Ahmetaj?!

Humbësit më të mëdhenj të rrëfimit të parë nga arratia të ish zv/kryeministrit Arben Ahmetaj, madje më shumë edhe se Edi Rama apo Erion Veliaj, janë prokurorët e SPAK. Ndonëse në konflikt interesi, pasi kërkohet të burgoset nga drejtësia për aferën e inceneratorëve, Ahmetaj e quajti veten një ‘kokë turku”, që kryeministri ia “ka nxjerrë në pritë prokurorisë së posaçme”.

Së pari, njeriu të cilin Rama e ka pranuar me gojën e vet “se ka bashkëpunuar më shumë sesa me cilindo tjetër në qeveri”, bëri një argumentim politik, që e mbështeti më pas me një logjikë juridike. Sipas tij ai u përzgjodh për t’u sakrifikuar pasi vetëm duke u burgosur ai mund të tentohej të mbyllej skandali i inceneratorëve. “Duke më bërë kokë turku mua që nuk kisha hedhur asnjë firmë, pasi postet në të cilat gjendesha, as nuk më lejonin ta miratoja apo te pengoja ngritjen e inceneratorëve, arriheshin dy qëllime, edhe ndëshkohej me drejtësi popullore një peshk i madh edhe shmangej më kryesorja, të hetoheshin procedurat dhe firmat që nxirnin zbuluar majën e piramidës. Me burgosjen time u tentua ti vihej tapa kësaj afere”, tha ai në një intervistë për gazetarin Cim Peka të enjten në mbrëmje.

Deri këtu konstatimi mbetet politik dhe i parë me dyshim nga cilido që e shikon Ahmetajn si dikë që është i detyruar të prodhojë çfarëdolloj alibie për tu vetëmbrojtur. Por ish numri dy i qeverisë dha fakte dhe argumente për ta mbrojtur tezën e tij. Ai i mëshoi disa herë faktit se, me shkresa, e ka penguar disa herë ngritjen e inceneratorit të Tiranës duke përdorur argumentin se buxheti i shtetit nuk e përballonte dot një kosto prej 128 milionë euro. Ai përsëriti pohimet për miqësinë me Mirel Mërtirin, njohjen e përbashkët dhe mbulimin financiar që kishte përfituar për udhëtimet dhe hotelet jashtë shtetit, por ama mohoi kategorikisht se këto vinin si pasojë e vendimeve të tij për të favorizuar inceneratorët. “Të tilla nuk ka pasur. Zero. Nuk e kisha unë fuqinë për të nxjerrë 17 vendime qeveri brenda një dite” tha ai.

Duke aluduar se Rama e kishte ndërsyer SPAK-un “nën tavolinë dhe në mënyrë të drejtëpërdrejtë”, ai hoqi një paralele mes përdorimit të televizionit më të madhe në vend dhe prokurorëve. Rama urdhëroi sulmet në Top Channel kundër meje, pikërisht në kohën kur në Gjkykatën e Lartë po gjykohej çështja e pronësisë së këtij televizioni” tha ai, duke lënë të kuptohet se gjithçka ishte e dirigjuar. Pronarët aktualë të Topit e fituan procesin dhe beteja e këtij televizioni me ish zëvendës kryeministrin, zgjati plot tre muaj.

Po ç’bëri SPAK pas kësaj?

Menjëherë u fillua një hetim pasuror kundrejt Arben Ahmetajt si njeri që kishte përfituar nga ngritja e djegësave të Elbasanit, Fierit dhe Tiranës. Duke përdorur disa herë si rrefren faktin se vetëm nga financimi publik i inceneratorit të Tiranës mungojnë 60 milionë euro, që nuk dihet se ku kanë shkuar dhe duke përsëritur deri në lodhje shprehjen “ndiqni paratë”, Ahmetaj nxori zbuluar standartin e dyfishtë të zbatuar nga SPAK. “Ata hetuan edhe çmimin e pllakave të banjos të shtëpisë së gruas sime, edhe koston e laminatit që ka vendosur ajo, po as nuk ndjekin paratë, as nuk interesohen se ku janë zhdukur 60 milionë euro, as nuk hetojnë firmat dhe procedurat që e bënë të mundur këtë dëm” tha ai.

Kjo qe pika ku këmbënguli me insistim Ahmetaj duke pretenduar se nëse Prokuroria e Posaçme e heton me themel inceneratorin e Tiranës, do ‘llahtariset gjithë dynjaja”.

Por ndoshta spakistët nuk e duan këtë llahtari. Dhe kjo duket qartë në aplikimin e një standarti të dyfishtë. Ndaj Arben Ahmetajt, që së paku në letra e ka kundërshtuar ngritjen e inceneratorit të Tiranës, u bë një qilizëm i çdo leku dhe i çdo pasurie. Ndërsa Erion Veliajt që dha garanci për mbulimin e kostove, madje nënshkroi me firmën e tij duke shkelur ligjin, nuk i është kontrolluar asnjë lëvizje. E njëjta gjë edhe për Edi Ramën që i dha pikë bonus kompanisë që do fitonte inceneratorin, ndonëse ajo as nuk ishte regjistruar akoma dhe për këtë gjë kryeministri ishte vënë në djeni nga ministrja e tij Ermonela Felaj.

Pra thënë shkurt: Arben Ahmetaj u hetua se kishte shok Mirel Mërtirin, se kishte marë favore prej tij, ndonëse me dokumenta e pati kundërshtuar ngritjen biznesin skandaloz. Ndërsa Edi Rama dhe Erion Veliaj ndonëse kanë shkëlur ligjin me akte të provuara, janë imunë ndaj një hetimi pasuror. A nuk është kjo një pabarazi ulëritëse përpara ligjit? A nuk të bën kjo të dyshosh për versionin e kokës të turkut?

Cilido që ka dëgjuar intervistën e Arben Ahmetajt të enjten, ndoshta me siguri nuk është bindur për pafajësinë e tij. Ama kush ka pasur vëmendjen për të ndjekur logjikën dhe faktet është bindur për standartet e dyfishta të përdorura nga SPAK. Dhe pikërisht kjo e bën më të besueshme tezën e ish zv/kryeministrit se ai u bë ‘kokë turku” për të mbuluar ata që kishin vendimmarrje reale, kishin ndërmarrë veprimet dhe kishin hedhur firmat, për një skandal që i ka kushtuar shqiptarëve dhjetra miliona euro. Dyshimi është se hetimi u dirigjua tek pronat e pajustifikuara të kryeministrit, për të lënë të fshehura procedurat skandaloze. Dhe kjo përforcon tezën se SPAK është një vegël e Ramës, qëllimi i të cilit është të vizatojë një kryeministër të ndërshëm, që e tradhëtojnë rrugës shokët që i hanë kumblla dhe dardha pas shpine.

Kjo akuzë për drejtësi të telekomanduar është më e rënda që është bërë ndonjëherë ndaj “heronjve të fëmijëve tanë”. Dhe ajo do të bëhet edhe më ulëritëse ditët në vijim, nëse SPAK nuk bën minimumin e mundshëm, atë që arriti të bëjë një gazetar, për ta pyetur Ahmetajn aty në arrati, për versionin që ai ka për fajësinë e Ramës dhe Veliajt.

/ Lapsi.al

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *