24 Korrik, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Zbulohet skema/ Kush e favorizoi kompaninë “Integrated Energy BV” për inceneratorin e Tiranës

CNA ka siguruar dosjen e plotë hetimore të Prokurorisë së Posaçme për aferën e inceneratorit të Tiranës.

Një rol kyç në këtë aferë korruptive kanë luajtur anëtarët e komisionit të dhënies së koncesionit konkretisht: Valbona Ballgjini, Pëllumb Abeshi, Erjon Murataj, Sidita Temali, Etleva Kondi, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, në bashkëpunim me Lefter Kokën, Alqi Bllakon, Alba Thomën, Drejtoreshë e Drejtorisë Juridike të Ministrisë së Mjedisit dhe Bledar Karolin.

Ata kanë propozuar dhënien e bonusit, pa hartuar një raport përmbledhës.

Dokumentin zyrtarët e mësipërm e kanë çuar edhe në Këshillin e Ministrave, për dhënien e bonusit prej 8 % të pikëve totale të garës shoqërisë propozuese.

Pjesë nga dosja hetimore:

Në lidhje me propozimin për dhënien e bonusit shoqërisë propozuese “Integrated Energy BV”, anëtarët e komisionit të dhënies së koncesionit, të përbërë nga shtetasit Valbona Ballgjini, Pëllumb Abeshi, Erjon Murataj, Sidita Temali, Etleva Kondi, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, në bashkëpunim me shtetasit Lefter Koka në cilësinë e Ministrit të Mjedisit, Alqi Bllako në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, Alba Thoma Drejtoreshë e Drejtorisë Juridike të Ministrisë së Mjedisit dhe shtetasi Bledar Karoli, Përgjegjës i Sektorit të Prokurimeve në Ministrinë e Mjedisit, kanë vepruar në kundërshtim me ligjin nr.125/2103 “Për koncesionet dhe partneritetin publik pritvat”, i ndryshuar, dhe VKM nr. 575, datë 10.07.2013, “Për miratimin e rregullave për vlerësimin dhe dhënien me koncesion/partneritet publik privat”, e ndryshuar.

Anëtarët e komisionit kanë propozuar dhënien e bonusit, pa hartuar një raport përmbledhës, si dhe kur është bërë propozimi për dhënien e bonusit, komisioni i dhënies së koncesionit ende nuk kishte sqaruar kostot e projektit. Zyrtarët e mësipërm të Ministrisë së Mjedisit kanë qënë personat përgjegjës që kanë përgatitur dhe dërguar më pas projektvendimin në Këshillin e Ministrave, për dhënien e bonusit prej 8 % të pikëve totale të garës shoqërisë propozuese.

15 urdhër-arrestet:

Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar lëshoi mbërmjen e së premtes urdhër-arrestet për aferën e inceneratorit të Tiranës me vlerë 110 milionë euro.
CNA mësoi se në prangat e policisë kanë rënë Erjon Murataj, Bledar Karoli, Taulant Tusha, Namik Simixhiu dhe Jetmir Llapaj.
Ndërkohë në arrest shtëpie janë lënë Alba Thoma, Valbona Ballgjini, Sidita Kopliku, Pëllumb Abeshi, Etleva Kondi dhe Sidita Tola.
Akuza për aferën në Tiranë rëndojnë edhe ndaj ish-ministrit të Mjedisit Lefter Koka dhe ish-sekretarit të tij Alqi Bllako të cilët aktualisht ndodhen në burg.
Gjithashtu, urdhër-arreste ka edhe për kokat e inceneratorëve Klodian Zoto e Mirel Mërtiri, të cilët janë në kërkim ndërkombëtar edhe për aferat në dy inceneratorët e Elbasanit dhe të Fierit. Urdhër-arrestet u firmosën nga prokurori Dritan Prençi, i cili ndoqi hetimet për këtë aferë./CNA

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *