14 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Nis “çlirimi” i hapësirave në rrugët kombëtare/ Sipas ligjit, çdo biznes duhet të jetë 1 km larg rrugës kryesore

Inspektorati i Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit me mbështetjen e Policisë së Shtetit po çliron hapësirat përgjatë rrugëve kombëtare nga ndërhyrjet dhe zhvillimet e kundërligjshme. Ndalohen me ligj vendgrumbullimet e mjeteve motorike, rimorkiove, si dhe të pjesëve të tyre të këmbimit, mjeteve të dala jashtë përdorimit përgjatë rrugëve. Gjatë fazës së parë të këtij procesi do të kërkohet heqja vullnetare nga zotëruesit e këtyre vend-grumbullimeve.

Ministri i Brendshëm Taulant Balla ndoqi nga afër një aksion të IKMT në autostradën Tiranë-Durrës, për pastrimin nga vendgrumbullimet e mjeteve motorike të vjetra, pikave të skrapit etj.

“Ka një ligj i cili detyron çdo biznes që të qëndrojë 1 km larg rrugës kryesore. Pastaj, më keq se kaq, vendosja e makinave në karrexhatë, është burim aksidentesh. Duam mirëkuptimin tuaj që të merrni mesat, por mos harroni që kjo është jo vetëm e lidhur me aspektin e sigurisë, por mbi të gjitha lidhet me një pastrim që duam t’iu bëjmë krahëve të të gjitha rrugëve të Shqipërisë. Këtu do të përfshihet edhe Policia e Shtetit. Ju duhet jo vetëm ta mbështesni IKMT, por në zbatim të urdhrit, në mënyrë të drejtpërdrejtë, duhet të merrni kontakte me të gjitha bizneset, të cilat duhet të zbatojnë ligjin. Po ashtu të kujdeseni për heqjen e këtyre mjeteve që janë parkuar në mënyrë të parregullt dhe që janë burim aksidentesh”.

Sipas ministrit, fillimisht shtetasve u dërgohet njoftimi për pastrimin e mbeturinave në mënyrë vullnetare nga ana e shtetasve, dhe vetëm pas kësaj faze, do të vijohet me procedurat e tjera sipas planit të masave të IKMT.

Ndërkohë, drejtori i Përgjithshëm i IKMT, Ervin Hoxha, sqaroi të gjitha procedurat që pritet të ndiqen nga ky institucion për lirimin e hapësirave pranë rrugëve kombëtare.

“Në planin e masave që kemi hartuar kemi caktuar një afat kohor i cili do t’iu njoftohet subjekteve. Në përfundim të këtij afati do të fillojmë me masat plotësuese, ndëshkim subjektesh, bllokim dhe sekuestrim. Janë hartuar modalitetet dhe dokumentacioni. Kjo nuk është një fushatë që kërkon të dëmtojë biznesin, por një aksion që kërkon të stabilizojë, normalizojë dhe formalizojë këtë biznes si çdo biznes tjetër. Kjo veprimtari do të shtrihet në të gjithë vendin dhe kërkon vëmendjen dhe mirëkuptimin e qytetarëve”.

Ligji për këtë qëllim është miratuar mbi 10 vite më parë, ndërsa ministri i Brendshëm paralajmëroi akte të tjera nënligjore për të garantuar funksionimin sa më korrekt të ligjit.

Scan tv

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *