22 Korrik, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Skandali i fondeve Ipard/ AZHBR u kërkon dhjetra bizneseve të kthejnë paratë

E kapur mat në skandalin e madh të abuzimeve me fondet e IPARD nga hetuesit e OLAF, Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural është detyruar të kërkojë masivisht kthimin e parave nga bizneset. Oligarkia.al ka mësuar se javët e fundit AZHBR u ka nisur letër dhjetra bizneseve, të cilat kanë përfituar grante, duke u kërkuar të kthejnë paratë mbrapsh.

Pak javë më parë, portali Amfora publikoi një informacion zyrtar, sipas të cilit deri ne fund të majit AZHBR u kishte kërkuar kthimin e parave të përfituara nga grantet rreth 10 subjekteve, mes të cilave kompanisë Coast to Coast të biznesmenit Florenc Gjikuria si dhe asaj Kavaljon në pronësi të ish kryetarit të bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi.

Por muajt e fundit lista e bizneseve të cilave u është kërkuar të kthejnë paratë për abuzim apo mosrespektim të kontratës është rritur ndjeshëm. Por tashmë po krijohet një tjetër konflikt.

Një pjesë e bizneseve kanë paguar nën dorë sekserë apo drejtëpërdrejtë zyrtarë të AZHBR-së për të përfituar grantet. Tashmë që AZHBR u kërkon të kthejnë paratë, bizneset po bëjnë të njëjtën gjë me sekserët dhe zyrtarët, që kanë paguar.

Një katrahurë korrupsioni dhe paligjshmërie, që tani mund të çojë edhe në konflikte fizike, pasi zakonisht këta që marrin rryshfetet operaojnë me moton “paratë e marra nuk kthehen më.”

Përpjekje për të shpëtuar kokën

Të turpëruar nga skandali, që çoi në vendimin e papreçedentë të BE-së për pezullimin e fondeve të IPARD, zyrtarët e qeverisë dhe drejtuesit e AZHBR po përpiqen tashmë të shpëtojnë nga përgjegjësitë penale, por edhe të rregullojnë sadopak imazhin e rrënuar duke kërkuar kthimin e parave.

Institucioni që ka menaxhuar dhjetra milionë euro grante, por edhe qeveria shqiptare janë damkosur zyrtarisht si të korruptuar nga Bashkimi Europian. Zyra kundër mashtrimit në BE, e njohur me emrin OLAF ka kallëzuar prej kohësh në prokurori abuzimet masive të dala në dritë nga hetimi i saj.

Por prej më shumë se dy vite, organi shqiptar i akuzës i ka zvarritur hetimet duke mos vënë asnjë zyrtar përgjegjës përpara ligjit. Megjithatë, përpjekjet e prokurorisë për të mbytur aferën apo hezitimi i saj për të hetuar deri në fund, nuk kanë mundur ta shpëtojnë qeverinë nga reperkursionet e skandalit.

Faktori grek

Brenda strukturave të Bashkimit Europian, çështja e abuzimeve me fondet e IPARD nga qeveria shqiptare po mbahet në qendër të axhendës veçanërisht nga Greqia. Pas përplasjeve mes Tiranës dhe Athinës zyrtare për arrestimin e Fredi Belerit, qeveria greke është duke kërkuar me prioritet zbardhjen deri në fund të skandalit të granteve dhe vendosjen e qeverisë shqiptare përpara përgjegjësive.

Ndërkohë që një tjetër front ku Athina po “hakmerret” është skandali i vjedhjes së pronave të bregdetit. Dy ditë më parë, kryeministri Edi Rama u detyrua të shkarkojë nga kabineti ministren e Bujqësisë, Frida Krifca dhe atë të jashtme Olta Xhaçka.

E para shihet si përgjegjëse direkte për skandalin me fondet e BE-së për bujqësinë gjatë kohës që drejtonte AZHBR-në, ndërsa Xhaçka akuzohet si e përfshirë në skandalin e tjetërsimit të pronave në bregdet, duke u kallëzuar pak ditë më parë në SPAK nga Fredi Beleri për tokën mbi të cilën bashkëshorti i saj po ndërton hotelin në Himarë. 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *